/ATSH/ Kopshti i ri i rikonstruktuar dhe pajisur me mjete dhe mobilje në Shkodër ka hapur dyert kohët e fundit për më shumë se 100 fëmijë, mes tyre një përqindje e konsiderueshme romë dhe egjiptianë.

Themelimi i këtij institucioni të zhvillimit të fëmijërisë së hershme, nën kujdesin e institucioneve të qeverisë, ka qenë një ëndërr për qytetarët me vite të tëra.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, kopshti ofron klasa për të gjitha grup-moshat deri në arsimin parashkollor. Mësuesit dhe fëmijët kaluan javët e fundit duke dekoruar klasat e tyre, pas përfundimit të rinovimit të ndërtesës.

Ky projekt u realizua me mbështetjen financiare të BE-së përmes projektit “Fuqizimi Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët”, i zbatuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNDP-së.