
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu bashkë me nipin e tij janë përfshirë në një incident në Bulqizë. Policia e Bulqizës informoi se Mziu bashkë me nipin e tij kanë dhunuar me grushte një zyrtar, punonjës i njësisë administrative Ostren në Bulqizë.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, 24 prill rreth orës 13:00, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren, pas një takimi elektoral të Partisë Demokratike. Dinamika e ngjarjes dhe shkaqet janë ende të paqarta, por blutë e Bulqizës informuan se kanë referuar materialet në SPAK për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për drejtuesin politik të PD në Dibër, Mziun, si edhe nipin e tij 36-vjeçar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren”, informoi sot policia.
Pas kësaj ngjarje Report Tv kontaktoi me Murrën i cili tha se e goditën në vendin e punës pa arsye. Murra theksoi gjithashtu se nuk është i angazhuar në fushatë.
Kalosh Murra, përgjegjës i ndihmës ekonomike në Ostren tha për Report TV: Kam qenë para punës time (njësisë administrative). Xhelal Mziu bashkë me të tjerë dolën nga lokali, kaluan para zyrave dhe më pas u kthyen mbrapsht. Më kapi direkt për fyti, ndërsa nipi i tij më godoti me grushte. Më gjakosi! Më kanë çuar në spital dhe më kanë qepur në fytyrë. Pas mjekimit kam dalë nga spitali dhe ndodhen në shtëpi me raporte. Shkakun nuk e di, unë isha në punën time. Mund të jetë për fushatë por unë s’jam i sigurt se nuk e njoh personalisht Xhelal Mziu dhe s’kam patur kurrë lidhje me të. Edhe vetë jam i çuditur se pse më qëlluan. Ndoshta e kanë fryrë (shtyrë) persona të tjerë që ishin në takim elektoral me të. Kam bërë kallëzim në polici dhe janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë së institucionit. Pres të zbardhet ngjarja e plotë nga policia dhe prokuroria.
lajm ne perditesim…