Kryeministri Edi Rama ndodhet në një takim elektoral me gratë në Shkodër. Në fjalën e tij Rama është shprehur se Shkodra ka qenë Europa e Shqipërisë dhe sipas tij i takon Shkodrës dhe shkodranëve që në 11 Maj të marrin një vendim domethënës, duke votuar PS për integrimin në BE.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek zhvillimet infrastrukturore në Shkodër, teksa u shpreh se sot të gjitha akset e këtij qyteti janë ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër.

“Sot për herë të parë kur hyra në Shkodër nuk u ndjeva sikur po hyj në Kaldahar. Nuk është vetëm Shkodra, por unë jam i fiksuar me Shkodrën sepse këtu e kam pasur kunjën, dhe duke qenë se kam edhe gjyshen nga Shkodra më vinte plasja dhe thoja që ça kanë me mua këto. Sot Shkodra jo vetëm ka shpresë, por shpresoj që Shkodra ka hyrë në një rrugë pa kthim, por duke ju parë ju këtu besoj se gjysmën e burrave në Shkodër i kemi në rregull.

Po të shkojmë jashtë Shkodrës kemi shumë për të treguar. Sot të gjitha akset e saj janë ose të ndërtuara ose në ndërtim e sipër. Nuk ka asnjë aks strategjik që mos jetë, dhe horizonti është hapur për ata që e kanë lënë Shkodrën vite më parë dhe që duan të kthehen dhe të ndezin oxhakun e shtëpisë së gjyshërve. Duke qenë se Shkodra ka qenë njëherë e një kohë Europa e Shqipërisë, i takon Shkodrës që në 11 Maj të marrë një vendim domethënës jo për mua, as për PS, por për historinë e vetë. I takon Shkodrës që mundësinë historike që kemi sot për BE ta rroki dhe të mos shohë majtas apo djathtas, por vetëm drejtë, sepse ne jemi sot forca e duhur në vendin dhe kohën e duhur”, tha Rama.

Kryeminsitri thekson se me futjen në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk është më kjo që është tani, por do të jetë një Shqipëri totalisht e re.

“Shkodra duhet të zgjedhi të ardhmen në 11 Maj, pasi në momentin që Shqipëria anëtarësohet në BE nuk është më kjo Shqipëri, por është një Shqipëri e re”, thekson Rama.