Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në ambientet e fabrikës së ujit “Lajthiza” në Pukë.

Gjatë takimit Berisha prezantoi edhe programin për biznesin të PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Nga Puka, Berisha nënvizoi se “do të bëjmë gjithçka që pasuritë e këtyre zonave të kthehen në vlera të cilat përfitojnë banorët, qytetarët e Shqipëria”.

“Puka ka potenciale të tjera shumë të mëdha, mbitokësore dhe nëntokësore dhe i garantoj banorët e këtij rrethi se do të bëjmë gjithçka për punësimin, rroga më të mira, prodhim dhe vetëm prodhim, e turizëm. Ka potenciale shumë të mëdha”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së nënvizoi se do të ngrejmë bordin për kompensimin e bizneseve që dëmtohen nga kursi i euros.

“Nga 2023-2024, sipas statistikës zyrtare, u ul me 32%. I shkatërroi euroja. Ne kemi projekt, do të ngremë bordin e kompensimit të të gjithë eksportuesve, kompensimit për shkak të variacionit të kursit të euros. Ne do të kompensojmë çdo cent të euros që bie për shkaqe që këta thonë, turizmi, por që nuk ka lidhje me turizmin, por avash-avash sa të presim kanalet e tyre dhe të bëhemi normalë siç ishim.

“Një bord për të kompensuar luhatjet e euros do ngrihet, se eksporti është i një rëndësie shumë jetike. Ne na ka mbajtur remitancat që vijnë nga jashtë që kompensojnë, se po të mos jenë ato, Shqipëria falimenton”, tha Berisha.

Berisha shtoi po ashtu se “ne do të bëjmë gjithçka që të nxisim fëmijën e tretë”.

“Do të bëjmë gjithçka që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri. Ka ardhur koha që për të shpëtuar vendin, ne duhet të bëjmë disa ndërhyrje shumë të fuqishme që të kthejmë pllakën. Nuk ka vend më të pasur se ky vend”, u shpreh Berisha.