Katër ditë nga nisja zyrtarisht e fushatës elektorale për 11 majin, shënohet arrestimi i parë për korrupsion aktiv në zgjedhje. Një 38-vjeçar nga Lushnja, i identifikuar si Marin Leka, ka rënë në prangat e bluve pasi i kishte premtuar 500 mijë lekë të vjetra një qytetari në këmbim të votës për Partinë Demokratike të Sali Berishës, i cili në këto zgjedhje garon me 26 aleatë.

Mësohet se në momentin e arrestimit, Marin Lekës i është gjetur në xhep karta e identitetit të personit që i kishte premtuar paratë në këmbim të votës për PD-në e Berishës. Ka qenë vetë personi të cilit i ishin premtuar paratë që ka bërë kallëzimin në polici për Martin Lekën.

Kallëzimi është bërë nga Muharrem Toska, i cili ka deklaruar në Policinë e Fierit se 38-vjeçari Martin Leka i ka kërkuar kartën e identitetit dhe i ka premtuar një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetra për të votuar subjektin politik PD. Uniformat blu pasi kanë arrestuar Marin Lekën, i kanë gjetur në xhep kartën e identitetit të kallëzuesit.

Sekretari i PD në Lushnjë, Klement Çela i pyetur në telefon nga gazetari i Report Tv, Yrjet Saliasi mohon që Marin Leka të jetë pjesë e strukturave të PD në Lushnjë, por gjithsesi, burime të sigurta për Report Tv bënë me dije se 38-vjeçari paratë i kishte premtuar në këmbim të votës për Partinë Demokratike. Ndaj 38-vjeçarit rëndojnë dy vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”. Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025″, njoftoi Policia e Fierit.

Dosja për këtë rast i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme, e cila është kompetente për të hetuar krimet zgjedhore, ndërsa që prej nisjes së fushatës SPAK ka zbritur në të gjitha qarqet e vendit për të monitoruar situatën para dhe pas zgjedhore, për të parandaluar krimet elektorale. Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani së bashku me prokurorët e deleguar në rrethe kanë zhvilluar takime për të koordinuar veprimet.

KRIMET ZGJEDHORE QË HETON SPAK
Korrupsioni aktiv në zgjedhje
Korrupsioni pasiv në zgjedhje
Grupet kriminale në zgjedhje
Çdo krim zgjedhor nga zyrtarët e lartë