
Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka kërkuar që të dalë nga qelia. Burime për mediat bëjnë me dije se gjyqi për të vendosur mbi fatin e Veliajt, nëse do të qëndrojë në qeli apo do të hetohet në masë më të lehtë sigurie pritet të vendoset ditën e mërkurë.
Veliaj ka paraqitur kërkesë për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurisë, si dhe ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me ecurinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kjo kërkesë e kryebashkiakut pritet që të shqyrtohet nga gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Bani, i cili më herët firmosi masën e arrestit me burg për Veliajn.
Kryebashkiaku i Tiranës më herët apeloi masën e GJKKO në Apelin e Posaçëm, por shkalla e dytë e gjyqësorit vendosi të rrëzojë kërkesën e tij duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Erjon Bani në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë që u mbajt në Gjykatën e Posaçme.
Paraditen e 13 marsit gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj.
Gjyqtari mori parasysh kërkesën e prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani dhe Ols Dado të cilët kërkuan lënien në qeli të qytetarit të parë të Tiranës, pasi sipas tyre vë në rrezik procesin, duke pasur mundësi që të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.
Ky vendim mësohet se është marrë pasi gjyqtari dhe prokurorët i janë druhur faktit që Veliaj mund të përdorë pushtetin e tij për të ndikuar mbi vartësit e tij, për të zhdukur apo deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme të cilat mund të shpërbejnë si burime prove, si dhe për të ndikuar mbi persona të ndryshëm, vartës ose jo, për të mos dhënë deklarime me vlerë përpara organit procedues ose për të deformuar përmbajtjen e këtyre deklarimeve.
Ndër të tjera gjykata i është referuar edhe sjelljes së funksionarit të lartë gjatë kohës që ka qenë në ambientet e paraburgimit të Durrësit, i cili ka kryer edhe telefonata nga numri i brendshëm i burgut. Dhe që, sipas këqyrjeve të mëpasshme të SPAK, konsiderohet si rrezik i ndryshimit ose prishjes së provave.
Një tjetër arsye për të cilën gjyqtari Pëllumbi ka vendosur që të lërë në qeli kryebashkiakun është rreziku që ky i fundit mund të largohet nga vendi. Lidhur me dyshimet e arratisjes të të dyshuarit, gjyqtari i apelit Engert Pëllumbi shprehet se mundësitë financiare të të hetuarit vlerësohen në harmoni me lëvizjet e tij të shumta, konfirmuar edhe nga sistemi TIMS, dhe për shkak të veprave për të cilat ai po hetohet, gjykata del në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta.
Gjithashtu janë marrë parasysh edhe kërcënimet që kryebashkiaku Veliaj u ka bërë prokurorëve të posaçëm, konkretisht Ols Dados.
Kryebashkiaku Veliaj i cili prej 12 shkurtit ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Këto vepra penale dyshohen se janë konsumuar plot 9 herë nga çifti Veliaj – Xoxa, kjo e fundit me 3 akuza zyrtare, të cilat janë: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.