
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa ka deklaruar se zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor është një investim i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen e sigurinë.
Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeministrin Edi Rama , me të cilin do të udhëtojë drejt Luksemburgut për Konferencën e Katërt Ndërqeveritare ku pritet të hapet grupkapitulli i radhës, Costa u shpreh se është Europa është mirë të jetë e bashkuar, pasi bota ka nevojë për një gjë të tillë.
“I gëzuar që pres kryeministrin Rama, gjithmonë kënaqësi të flasim e të diskutojmë, e dyta, zgjerimi i BE drejt Ballkanit Perëndimor është një investim i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen e sigurinë. Inkurajuese të shohësh progresin e Shqipërisë në këtë drejtim. Çelet sot grupkapitulline radhës.
E rëndësishme të jemi bashkë sepse bashkë jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Europë më të fortë”, tha ai.
Në konferencën ndërqeveritare do të diskutohet për avancimin e proceseve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deri tani, janë mbajtur tre konferenca ndërqeveritare që kanë pasur si objektiv diskutimet dhe përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Konferenca e parë ndërqeveritare u mbajt më 19 korrik 2022 në Bruksel, ku u hapën negociatat për Klasterin 1, i cili përfshin disa kapituj në fusha të ndryshme. Ky grup-kapitull ishte një nga më të rëndësishmit, duke prekur aspekte thelbësore si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik dhe reforma e administratës publike.
Konferenca e dytë u zhvillua më 15 tetor 2024, gjithashtu në Luksemburg, ku u hapën negociatat për një grup-kapitull të rëndësishëm, që trajton tematikat e drejtësisë, gjyqësorit dhe institucioneve demokratike. Hungaria, e cila mbante presidencën gjashtëmujore të BE-së, organizoi këtë konferencë pas arritjes së marrëveshjes mes vendeve anëtare që Shqipëria kishte përmbushur kushtet për hapjen e grup-kapitullit të parë që lidhet me të drejtat themelore.
Konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt më 17 dhjetor 2024 në Bruksel dhe u zhvillua në nivel ministror, duke shërbyer për hapjen e negociatave për Klasterin 6: Marrëdhëniet e jashtme, përfshirë kapitujt “Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme” dhe “Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes”.