Nga Pallati i Kongreseve, në ditën e çeljes së fushatës elektorale, kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj bëri një zotim. Ai premtoi se në rast se merr fitoren më 11 Maj, përpos një sërë objektivash në të mirë të qytetarëve, do shembë fytyrën e korrupsionit. Kjo e fundit, për Shehajn, është ndërtesa 20 katëshe në qendër të Tiranës e cila është modeluar si koka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Por për opozitarin, ajo ndërtesë përfaqëson kryeministrin, të cilin nuk heziton ta krahasojë me një diktator.

“Edhe unë kam diçka për të shembur, fytyrën e korrupsionit që Edi Rama ka ndërtuar në mes të Tiranës. Ajo është fytyra e korrupsionit, çdo herë që do e shikoni ajo është fytyra e vjedhjes! Ka vendosur veten e vet në mes të Tiranës si një diktator, autokrat banal siç është! Nuk ka koncesion pa firmën e tij, tender të dyshimtë pa miratimin e tij. Nuk ka drejtësi nëse nuk del ai para drejtësisë!”, deklaroi Shehaj.

Jo më larg se sot, kreu i qeverisë ndau foton e tij përballë ndërtesës në fjalë, e modifikuar në mënyrë të tillë që dukej sikur “po përshëndeteshin”. “VOTO 5 që së bashku ta bëjmë Shqipërinë 2030 zonjë të Familjes së Bashkuar Europiane”, shkroi ai.