
Një mbrëmje magjike me muzikë klasike në Lezhë: violinistja Melisa Figuri, nxënëse e klasës së 8-të në shkollën “Besëlidhja”, mbajti recitalin e saj të parë, e shoqëruar nga Orkestra e Harqeve e RTSH. Talent, emocione dhe duartrokitje për yllin e ardhshëm të violinës.
Nga Lindita Kokaj
Shkolla 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë po përgatit talente në fushën e muzikës. Një prej tyre violinistja Melisa Figuri nxënëse e klases së tetë në këtë shkollë zhvilloi recitalin e saj të parë në Pallatin e Kulturës në Lezhë, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me emocion dhe tinguj magjikë të muzikës klasike.
E shoqëruar nga Orkestra e Harqeve e RTSH-së, nën dirigjimin e Gridi Kraja, Melisa interpretoi me mjeshtëri vepra të kompozitorëve të mëdhenj si Vivaldi, Sarasate, Accolay dhe Kreisler, duke krijuar një atmosferë të veçantë për artdashësit lezhjanë.
Ndërkohë kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu theksoi se shkolla “Besëlidhja” nga burojnë këto talente është garanci për jetën artistike të Lezhës. Sipas tij Bashkia Lezhë do të mbështesë gjithnjë të talentuarit si Melisa për t”i promovuar dhe rritur artistkisht.
Dirigjenti Gridi Kraja theksoi se ndjehet i impresionuar nga performanca e violinistes së re Melisa Figuri dhe atmosfera artistike që gjeti në Lezhë.
Në përfundim të recitalit, Melisa Figuri falënderoi publikun për mbështetjen dhe emocionet e përjetuara, duke theksuar se violina është dhe do të mbetet rrugëtimi i saj artistik.
Melisa Figuri me recitalin e saj dhuroi një mbrëmje të paharrueshme për artin dhe kulturën në Lezhë.

Profili/ Melisa Figuri

Melisa Figuri është nxënëse e klasës së 8-të në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë, dhe një talent i spikatur në violinë. Ajo ka marrë pjesë dhe është vlerësuar me çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare të zhvilluara në Sarandë, Tiranë, Gjirokastër, Prishtinë dhe më gjerë. Melisa ka qenë pjesë e koncerteve “Klasikët n’Lissus 1 & 2” dhe përfaqëson denjësisht shkollën e saj në veprimtari artistike në Lezhë, Mirditë, Kukës e zona të tjera. Me pasion të thellë për muzikën klasike, ajo ëndërron që një ditë të interpretojë në skenat më të mëdha botërore, duke sjellë tingujt e kompozitorëve më të mëdhenj klasik në zemrat e publikut.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara