Presidenti i “European Hiking Federation” Boris Micic, në një takim zyrtar me presidentin e Federatës Shqiptare të Alpinizmit bëri me dije se E6 është një nga rrugët malore evropiane, e cila do të hyjë në Shqipëri nga Shkodra përmes Malit të Zi dhe kilometrat e parë do të realizohen këtë vit kalendarik.

“Tashmë kemi shansin dhe mundësinë që një rrugë evropiane të kalojë në Shqipëri.

Disa vite më parë në një takim kemi vendosur që dy rrugë evropiane të kalojnë në vendet e Ballkanit. Kemi vendosur tashmë që në Shqipëri të kalojnë rrugët E 6 dhe E 12.

E 12 do të kalojë përgjatë detit Mesdhe, por sot nuk do të flasim për të, sepse këtë vit kemi vendosur të promovojmë rrugën E 6.

Kjo rrugë do të hyjë në Shqipëri nga Shkodra përmes Malit të Zi.

Sot kemi ardhur këtu për të bërë të diskutuar për zhvillimin e E6. Është shumë e rëndësishme sot të anonçojmë se kilometrat e para të E6 në Shqipëri do të realizohen që këtë vit”, tha Boris Micic, presidenti i Federatës Europiane të Hiking-ut.

Federata Europiane e Hiking (ERA), e formuar në 1969, ka arritur të krijojë 12 rrugë evropiane me gjatësi totale 70 mijë kilometra. Shumë pak prej tyre kalojnë në ballkan dhe deri tani asnjë në Shqipëri.

Krijimi i shtigjeve malore pritet të ndikojnë në zhvillimin e turizmit për të gjithë të apasionuarit e hiking.