
Deklarata e zëdhënëses së Partisë Demokratike është një përpjekje e dëshpëruar për të hedhur baltë mbi punën e pandalshme që po bëhet në qytetin tonë.
Në një reagim unik dhe qesharak, një parti politike akuzon bashkinë pse po ndërron pllakat e trotuareve të qytetit!
I shpjegojmë me qetësi Partisë Demokratike, përfaqësuesit e së cilës kanë drejtuar Bashkinë Shkodër për mbi 30 vite, se pllakat e trotuareve, kur prishen, ndërrohen.
Filozofia e vjetër e bashkisë, sipas së cilës kur prishen pllakat, bëjmë sehir dhe fajësojmë qeverinë, ka përfunduar njëherë e mirë në vitin 2023.
Sot, Bashkia Shkodër vepron, nuk rri duarkryq. Investimet nuk janë propagandë, por përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve.
Është për të ardhur keq që PD në mungesë të një vizioni dhe alternative për qytetarët e Shkodrës, zgjedh që në mënyrë të përsëritur, pa harruar as edhe njëherë të vetme të sulmojë investimet publike, të cilat janë të planifikuara, të miratuara me buxhet dhe që po realizohen në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme të qytetarëve.
Benet Beci, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk bën propagandë, por punon çdo ditë për Shkodrën. Asfaltimi i rrugëve, sistemimi i trotuareve dhe çdo investim tjetër nuk është pjesë e asnjë fushate, por pjesë e një programi të mirëmenduar për zhvillimin e qytetit, i konsultuar dhe i miratuar në Këshillin Bashkiak.
Të quash investimet publike, të shumëfishuara me mbéshtejten e qeverisé dhe punen e bashkisë “propagandë” tregon mungesë respekti ndaj qytetarëve që i shohin dhe i ndjejnë këto ndryshime çdo ditë. Është pikërisht ky ndryshim që shqetëson PD-në, e cila është mësuar me gjendjen e përhershme të stanjacionit dhe premtimeve boshe.
I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të ndalë përhapjen e dezinformatave dhe të dalë përballë qytetarëve me ide dhe vizion, në vend që të pengojë punën e mirë që po bëhet për Shkodrën.
Shkodra ka pritur gjatë për këtë rilindje urbane dhe nuk do të ndalet përballë baltës së atyre që nuk kanë ditur asnjëherë të qeverisin dhe as të respektojnë qytetin.