Prof. Dr. Mahir Hoti, ishte një ndër emrat e spikatur të arsimit shqiptar, një nga intelektualët më të shquar të viteve të fundit si dhe një zë i fuqishëm publik në Shkodër dhe më gjerë.
Prof. Dr. Mahir Hoti dha një kontribut me vlerë në vazhdimësinë e shkollës gjeografike të Shkodrës. Ai është bashkë themelues i departamentit të Gjeografisë në Universitetit të Shkodrës.
Prof. Dr. Mahir Hoti zë një vend të veçantë në studimet e punimet e tij shkencore për qytetin e lindjes. Ai na paraqitet me një dimension mjaft solid për të evidentuar e qëmtuar deri në detaje çështjet gjeografike të Shkodrës.
Dimensioni i figurës së nderuar të Prof. Dr. Mahir Hotit nuk mund të kuptohet pa kontributin i tij të shquar si Rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku ai punoi pa reshtur për t’i dhënë rolin dhe vizionin që duhet të kishte një universitet bashkëkohor.
Jeta publike e Shkodrës e njohu Prof. Dr. Mahir Hotin edhe si themelues dhe drejtues i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Austri, që në fillimet e viteve 1990. Me mjaft intelektualë shkodranë dhe nga qytete të tjera të vendit, bëri të mundur ngritjen dhe institucionalizimin e një marrëdhënieje mjaft serioze dhe konkrete me institucione të ndryshme austriake.
Figura e nderuar e Prof. Dr. Mahir Hotit duhet vlerësuar edhe në rolin dhe kontributin e tij shkencor. Gjatë jetës së tij akademike, ai realizoi mjaft libra e tekste mësimore universitare dhe të cikleve të tjera në fushën e gjeografisë. Njëkohësisht, mjaft referime shkencore dhe botime në revistat shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, që ndikuan dukshëm në rritjen e autoritetit të tij shkencor e akademik, duke bërë të mundur edhe ecurinë në karrierën akademike.
Kontribut me vlerë në jetën shkencore e kulturore të Shkodrës pati edhe Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, në të cilin ai ishte për mjaft vite bashkorganizator dhe drejtues i seksionit të gjeografisë. Tërësia e këtyre elementëve e kanë shndërruar profesorin tonë të nderuar në studiuesin dhe pasionantin shkencor ndaj Shkodrës së tij.
Prof. dr. Mahir Hoti do kujtohet e mbahet mend si qytetari dinjitoz i qytetit fisnik të Shkodrës, si mësuesi e pedagogu i nderuar për breza e breza të tërë studentësh, si kontributori e studiuesi evident i gjeografisë, si kolegu ynë i respektuar, si miku e dashamirësi i të gjithëve.