
Qyteti dhe i gjithë territori i Bashkisë Pukë janë zgjuar këtë mëngjes nën reshje të dendura dëbore, të cilat kanë mbuluar çdo hapësirë me një shtresë të trashë bore. Pamja idilike ka ardhur bashkë me sfidat e zakonshme që sjell një mot i tillë në një zonë malore.
Strukturat e mirëmbajtjes dhe shërbimeve të Bashkisë kanë ndërhyrë menjëherë në terren, duke punuar për pastrimin dhe kriposjen e akseve rrugore me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt për mjetet dhe qytetarët. Aktualisht, të gjitha rrugët në territorin e Bashkisë Pukë raportohen të kalueshme.
Megjithatë, autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar, sidomos në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës, kur parashikohet ulje e ndjeshme e temperaturave dhe rrezik për ngrica. Bashkia Pukë u bën thirrje banorëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo emergjencë.
Situata është nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përgjegjëse, ndërkohë që reshjet pritet të dobësohen gjatë orëve në vijim.