
Një tjetër kandidate për deputete e Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama futet nën hetim nga SPAK. Kjo për shkak se Gjykata e Posaçme ka marrë vendim duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme të regjistrojë procedimin penal ndaj deputetes Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi.
Ishte eurodeputeti Fredi Beleri që bëri kallëzim ndaj tyre në SPAK për çështjen e tjetërsimit të pronave në Himarë. Në momentin që SPAK mbylli hetimet për ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro dhe bashkë me disa të tjerë e dërgoi në gjyq, u lanë mënjanë Xhaçka dhe bashkëshorti i saj. Ndaj Beleri bëri një kallëzim të ri ku kërkonte shfuqizimin e vendimit të SPAK me të cilin njoftohej mosfillimi i procedimit penal “ndaj shtetasve të kallëzuar Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi”.
Tashmë Gjykata, me një vendim të marrë që në datë 28 shkurt, të siguruar nga lapsi.al, ka urdhëruar SPAK regjistrimin e procedimit penal dhe vazhdimin e hetimeve për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryera në bashkëpunim.
Bëhet fjalë për marrjen e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Pas kallëzimit të ngritur SPAK ka vendosur nën sekuestro tokën në Dhërmi.
LEXO EDHE: Xhaçka e paprekshme/ Përfundon në kosh edhe opinioni i Venecias
Beleri ka ngritur dyshime se bashkëshorti i Xhaçkës, Gaçi ka ndikuar tek regjistrimi në Kadastrën e Vlorës, pasi rezulton se është bërë pronari me letra i tokës ku do të ndërtohej resorti “Dreamades Luxury Suites” nga kompania e kunatës së Xhaçkës, e cila tashmë pezulloi kompaninë, duke ia blerë pronën Stavri Mëhillit.
Në vendimin e gjyqtares së GJKKO, Flora Hajredinaj thuhet se argumenti i SPAK se “fakti penal nuk ekziston” mund të përmendet pasi janë bërë verifikimet përkatëse brenda 15 ditëve. Në rastin konkret sipas GJKKO nuk rezulton që të jetë administruar ndonjë akt përveç kallëzimit të Belerit.
Gjykata nënvizon se organi i akuzës duhet të regjistrojë një kallëzim penal dhe të vazhdojë hetimet për ish-kryebashkiakun Goro, Këshillin e Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP-së në Vlorë se në bashkëpunim kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë të cilat janë përdorur për regjistrimin e pronës së Foto Mëhillit në favor të familjarëve të Olta Xhaçkës. Mbi këtë pronë të blerë më pas nga bashkëshorti i Xhaçkës, sipas gjykatës, është dhënë statusi i investitorit strategjik nga Këshilli i Ministrave, pjesë e të cilit ishte edhe vetë Xhaçka si ministre e Mbrojtjes.
“Shtetësja Olta Xhaçka me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrime tatimore, etj” – thuhet në vendimin e GJKKO.
Gjykata nënvizon dhe krijimin e një shoqërie tregtare me ortakë fiktivë, kunatën e të kallëzuarës Olta Xhaçka me qëllim shmangien në dukje të konfliktit të interesit.
Në 13 mars gjykata dënoi me 3 vite e 1 muaj burg, Jorgo Goron. Me gjykim të shkurtuar, ky vendim zbret në 2 vite e 20 ditë burg. Goro u gjet fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës në 2 raste dhe mosdeklarim pasurie. Gjykata i dha dënim plotësues Goros edhe me 5 vite heqje e të së drejtës për të ushtruar funksione publike. ©LAPSI.al