
Kryeministri Edi Rama pranon se Shkodra është qyteti më i lënë pas dore në republikën e Shqipërisë. Qyteti po ndjen ndryshimin që nga momenti kur në krye të bashkisë u vendos Benet Beci, por se për ta transfomuar Shkodrën që Zoti i fali gjithçka por dora e njeriut e prishi, duhet vota e të gjithë shkodranëve, më 11 maj. Duhet vota e shkodranëve socialistë por dhe demokratë.
“Duam të bëjmë shumë për Shkodrën. Është vendi më i lënë mbrapa nga të gjithë të tjerët në Shqipëri. Këtu jemi në betejë të përditshme me prapambetje të madhe, por populli i Shkodrës e sheh ndryshimin. … Na duhet mbështetja e popullit të shkodrës e socialistëve dhe e demokratëve të Shkodrës” tha Rama sot në takimin me kandidatët socialistë në Shirokë.
Në kuadër të këtij vizioni është hartuar dhe skuadra e kandidatëve socialistë, të cilën Rama e quajti “shumë përfaqësuese” për këtë qark.
Lista e kandidatëve socialistë përbëhet nga 2 kandidatë që kërkojnë një mandat të dytë për deputet, – Frrok Gjini dhe Edona Bilali në lista të hapura – ndërsa 13 të tjerë kandidojnë për herë të parë.
E kryetari i PS-së u ndal pikërisht tek gjenerata e re me të cilën kjo parti kërkon të fitojë zgjedhjet e 11 majit.
“Kemi bërë një transfusion shumë domethënës të gjakut në PS e kemi hedhur bazat me këtë skuadër të PS-së 2030 për gjeneratën tjetër” tha Rama.
I të njëjtit mendim ishte dhe drejtuesi politik i qarkut, njëkohësisht kreu i bashkisë, Benet Beci
“Kemi zgjedhur ekip të motivuar për të punuar fort’ tha ai.
Kryeministri reagoi dhe ndaj bullizimit që i është bërë kandidates së re, Marjana Koçeku, e njohur nga shqiptarët si ‘Neomalsorja” por që u krahasua me Lenka Çukon e cila u bë anëtare e Byrosë Politike në vitin 1971, në moshën 33 vjeç pasi u mor nga fshati.
“Më ka rënë në sy bullizimi që i bëjnë disa burime e personazhe groteskë nën petkun e analistëve komentatorë deri dhe intelektualëve që kanë kurajon ta quajnë veten duke e ekspozuar si një simbol i banalitetit të së shkuarës…. Është e kotë tju them se atyre që kanë krijuar gjithë atë ‘pocaqi’ tju vijë turp” u shpreh Rama.
Ironizoi dhe listën e kandidatëve për deputetë të e Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Rama tha se më 11 maj, PS i duhet jo vetëm mbështetja e socialistëve, por edhe e demokratëve, duke thënë se nuk mund të kthehen pas tek ca personazhe groteskë të kënetës. Listën e Berishës në Shkodër, e quajti ‘kartëvizitë’ të kënetës.
Na duhet mbështetja e socialistëve dhe demokratëve të Shkodrës që janë kthyer prapë te ca personazhe. Si mund të insistohet në të njëjtin budallëk. Ca personazhe që të vjen zor ti përmendësh dhe emrin që i kanë vënë në listën e kënetës. Kënetë e vërtetë” tha Rama
Për Ramën vota për PS-në është e duhura dhe shkodranët dhe një koment kishte dhe për partitë e vogla.
Këneta as që diskutohet. Partia më e re sot dhe unë po ja u them statistikisht është Partia Socialiste. Se më erdhi dhe për të qesh kur këto të rejat ishin nja 17 personazhe që i prekte dekriminalizimi. Nuk diskutohet dhe se gjykoj këtë pjesë. Edhe dalin kapin xhajen dhe hallën me mbush listën. Puna e tyre xhanëm, të bëjnë çfarë të duan të hanë kokat nga ajo anë
Garantoi vijimësinë e reformës në drejtësi dhe një mesazh dha edhe për të tijët
‘Kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe përdor fuqinë që i jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme pas shpinës sonë të shkojë atje ku ka vendin. Është shumë e thjeshtë, s’ka asgjë për të pasur dyshime dhe dilema” tha Rama.
Gjatë ditës Rama do të ketë takime dhe me socialistë por dhe do të inspektojë projektet e qeverisë që po përmirësojnë jetesën e banorëve të këtij qarku.
Marjana Koçeku, e njohur nga shqiptarët si ‘Neomalsorja’ një sipërmarrëse shumë e famshme në fushën e agroturizmit ndodhet në listën e mbyllur ku është dhe Xhenis Çela, vajza e deputetit të deritanishëm që iu bashkua socialistëve nga Partia e Lirisë, Agron Çela.
Kandidatët PS në Shkodër
Lista e mbyllur
Marjana Koceku
Onid Bejleri
Xhenis Çela
Bujar Rexha
Lista e hapur
Edona Bilali
Enertil Canaj
Ervin Doda
Holta Duda
Frrok Gjini
Besmir Lesha
Marjan Ndershtiqaj
Vera Ndreca
Kejsi Spahija
Shkelqim Sterkaj
Adnan Shullani