
Kryeministri Edi Rama sot nga Shkodra ka ironizuar programin e partive opozitare duke thënë se programi i tyre është elektoral dhe jo i mbështetur, sipas tij në një punë të gjerë dhe konkrete.
Rama tha se ditën e nesërme bashkë me grupin e deputetëve dhe kandidatëve do të prezantojë programin e PS. Kreu i qeverisë ironizoi opozitën duke thënë se ata që premtojnë ‘500 euro pensione’ edhe ‘naftën 5 cent’ s’kanë gjë në dorë.
Nga ana tjetër Rama ka kujtuar dhe historinë me Fatos Nanon, kur në një ngushëllim një qytetar i kërkoi të zgjidhte çështjen e pronave, duke sugjeruar që çdo pronë t’i kthehej ish-pronarëve. Edhe sipas Ramës, Nano është përgjigjur që qytetari duhet të shkonte te Sabri Godo, se ai s’ka gjë në dorë.
“Ndryshe nga të tjerët që bëjnë programe elektorale, ne kemi një program që për çdo fushë kemi një mal me strategji, me plan me të gjitha, kështu që është shumë masiv programi ynë, është një program qeverisë. Nuk jemi hajt të kapim na një gjë, se s’kemi gjë në dorë dhe do i themi do i bëjmë pensionet 500 euro, edhe do bëjmë naftën 5 cent. Këto i thotë kush nuk ka gjë në dorë. Edhe e kam treguar dhe në vend tjetër, më kujtojnë atë skenën kur kam shkuar me Fatos Nanon në një ngushëllim. Edhe del dikush aty dhe thotë: Kryeministër nuk keni gjë në vijë, po nuk zgjidhët përfundimisht problemin e pronës. E drejt i thotë Fatosi, por ke ndonjë ide ti. Shumë e thjesht tha, merrjani të gjithëve dhe jepjani atyre që e kanë pas dhe gjithë të tjerët të ndahet ky muhabet. Kjo është shumë vizionare dhe shumë e guximshme por këtë duhet ta zgjidhësh me Sabriun që nuk ka gjë në dorë”, tha Rama.