Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë pasdite një takim me të rinjtë në qytetin e Shkodrës aty ku po prezanton edhe kandidatët për deputet në këtë qark. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal sërish te anëtarësimi i Shqipërisë në BE teksa u shpreh se kjo është një mundësi reale dhe konkrete.

Rama tha se sot BE është e gatshme që të na bëjë pjesë të vetën dhe kjo sipas tij nuk është një fjalë goje, por janë afro çerek milionë faqe ligje, rregulla e vendime që duhen adoptuar në trupin legjislativ dhe rregullator të Shqipërisë dhe për këtë arsye thotë Rama po punojnë rreth 1 mijë vetë.

Rama shton se më 11 Maj të gjitha ata që merren me negociatat duhet të vazhdojnë punën të patrazuar dhe rezultati i zgjedhjeve thotë Rama duhet të një mesazh kompakt i shqiptarëve përtej të majtës e të djathtës për Brukselin, që duam Shqipërinë një orë e më parë në BE.

“Të marrim një vendim të qartë për t’i dhënë mbështetje të fortë procesit të anëtarësimit të BE dhe për të përcaktuar kohën e fatit europian. Ndryshe nga herët e tjera kur siç e keni dëgjuar, BE na ka thënë që vendi juaj është këtu me ne, bashkë me ne, perspektiva juaj drejt nesh. Sot BE është e gatshme që të na bëjë pjesë të vetën. Mundësia për t’u bërë pjesë e BE është reale, konkrete aktuale. Ne do të hyjmë në BE vetëm nëse jemi të suksesshëm me negociatat. Nuk janë fjalë goje, por afro çerek milionë faqe që janë ligje, rregulla e vendime që duhen adoptuar në trupin legjislativ dhe rregullator të Shqipërisë dhe për këtë arsye janë 1 mijë vetë. E rëndësishme që puna e këtyre 1 mijë njerëzve të vazhdojë e pandërprerë dhe e paluhatur nga çfarëdo qoftë, dhe lëre më nga zgjedhje që rezultati mund të jetë artimetikisht ok për ne, por jo mjaftueshëm një rezultat kuptimplotë për ata që janë në Bruksel dhe anëtarë aktualë të BE. Prandaj është e rëndësishme që më 11 Maj, të gjitha ata që merren me negociatat të vazhdojnë punën të patrazuar dhe ajo që del nga kutitë e votimit të jetë një mesazh kompakt i shqiptarëve përtej të majtës e të djathtës dhe mesazh këmbëngulës për Brukselin që duam Shqipërinë një orë e më parë në BE. Besoj se kështu do të ndodhë”,- u shpreh Rama.