
Shqipëria ka marrë financimin paraprak të parashikuar në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes të BE-së. Ky është pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili ka si qëllim të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në dhe të hapë rrugën për anëtarësimin në BE.
Financimi paraprak, në vlerën 64.5 milionë euro, është në proces dhe do të mbështesë zbatimin e Agjendës së Reformës, në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes, si dhe angazhimet që Shqipëria ka marrë me të.
Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka përshëndetur këtë financin, ndërsa shprehet se Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor.
“Urime Shqipërisë për arritjen e një tjetër momenti të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit ????????????????!”, shkruan Gonzato.
Sipas Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, me këtë financim paraprak, Shqipëria mori 30 milionë euro kkredi koncesionare për buxhetin e shtetit, si mbështetje për zbatimin e reformave në kuadër të Agjendës së Reformës së vendit.
Pjesa tjetër e financimit paraprak, prej 34.5 milionë eurosh, në forma grantesh dhe huash koncesionare, do t’i injektohet drejtpërdrejt WBIF-it (Western Balkans Investment Framework) për investime në infrastrukturë në Shqipëri.
Deri në vitin 2027, Shqipëria ka mundësinë të marrë deri në 922.1 milionë euro në total nga Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në këmbim të reformave në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, energjinë e rinovueshme, ekonominë dixhitale, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorit privat.
Pagesat e ardhshme në kuadër të Facilitetit do të bëhen me përfundimin e hapave të reformës të rënë dakord ndërmjet Komisionit dhe Qeverisë Shqiptare në Axhendën e Reformës. Ndërsa Shqipëria përparon në zbatimin e Axhendës së Reformës, BE do të zhbllokojë pagesat.