Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi ka paditur gazetarët e emisionit investigativ në televizionin italian të RAI. Në një nga episodet ku trajtohej marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, veçohej roli i Agaçit, ku quhej ish-avokat i trafikantëve të drogës.

“Agaçi është një avokat i rëndësishëm shqiptar me zyrë edhe në Romë. Në të kaluarën, klientë të tij ishin edhe disa nga bosët kryesorë të mafies shqiptare, të gjykuar në Itali. Në vitin 2016, disa nga klientët e tij përfunduan në qendër të një polemike ligjore. Sipas asaj që raportuan magjistratët italianë, shumë bosë të mafias shqiptare, të dënuar me dënime nga 10 deri në 20 vjet në Itali, u ekstraduan shumë lehtë në Shqipëri, ku pasi mbërritën atje ata vuanin dënime shumë më të ulëta ose madje u liruan nga burgu”- thuhet në reportazhin e “Report”.

Kur kryeministrja italiane, Giorgia Meloni shkoi me pushime në Shqipëri verën e kaluar për të diskutuar detajet e marrëveshjes për emigrantët, ai ishte gjithashtu i pranishëm, përkrah Edi Ramës dhe kryeministres italiane.

Emisionin “Report” citon se: “Agaçi ka qenë konsulent i shefit të Interpolit, Gjeneral Fabrizio Lisi, oficer ndërlidhës mes Tiranës dhe Romës, në luftën kundër trafikut të drogës. Lisi duhej të menaxhonte një operacion pronash të paluajtshme që kishte të bënte me pronësinë e disa tokave për fondacionin e tij dhe iu drejtua avokatit Agaçi i cili e vuri në kontakt me një prestanome të Artur Sheut, kreut të trafikantëve të drogës me kontakte me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita./Dosja