
Për zgjedhjet e 11 majit, u regjistruan 2046 kandidate, të cilët siç ligji ua imponon, dorëzuan edhe formularët e dekriminalizimit.
Verifikimi fillestar i KQZ-që ka ngritur dyshime për 16 kandidatë të partive të reja dhe të vogla.
Të dhënat që ata kanë deklaruar vetë të ngjarjeve në të shkuarën e tyre kanë nevojë të hetohen, ndaj ata u dërguan nga KQZ për verifikim pranë Prokurorisë së Përgjithshme në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.
4 kandidatë janë nga Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, 4 të tjerë nga Partia Social Demokrate e Tom Doshit, 2 nga Partia Mundësia e Agron Shehajt, një nga partia e Bashës, e një tjetër nga e Arlind Qorit.
Formularët e kontrolluar nga Report TV, tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre emrave, konkretisht 7 prej tyre, janë të dëbuar nga shtete të caktuara për qëndrim të paligjshëm.
Tre dëbime për këto arsye janë mes kandidatëve të Shqipëria Bëhet, ku përfshihet edhe një rast i freskët, ai i Gazmir Memajt që në janar të këtij viti u dëbua nga Serbia në mënyrë arbitrare pasi do të merrte pjesë në një takim të shoqërisë civile.
Megjithëkëtë, nuk mungojnë veprat penale të kryera jashtë dhe brenda vendit. Një kandidat i Lapajt në Lezhë, Erjon Selmani, po pret gjykimin në Itali për evazion fiskal, ndërsa një kandidat i Tom Doshit, është gjykuar në Gjermani për vjedhje.
Desard Muzhaqi kandidat i Bashës në Elbasan është dënuar në Greqi për leje qëndrimi të falsifikuar si dhe ka përdorur edhe emër të dytë, Avdulla.
Një kandidat i Arlind Qorit në Kukës, ka probleme me drejtësinë në Kosovë për vjedhje, dhe një dënim me 2 muaj burg në Shqipëri.
Sipas ligjit, kandidatët duhet të deklarojnë në formular nëse kanë qenë ndonjëherë të ndaluar, hetuar apo dënuar, dhe më pas është Prokuroria e Përgjithshme që me indicie nga KQZ verifikon nëse janë apo jo vepra që i ndalojnë të ulen në karriget e deputetit.
Në mbledhjen e kësaj të hëne të KQZ, ata nuk u skualifikuan nga kandidimi dhe emri i tyre do të jetë në fletë votimi, deri në përgjigjen e prokurorisë, i cili zakonisht ka marrë muaj apo vite.
Lista e kandidatëve të dërguar për verifikim:
Shqipëria Bëhet
Entela Sula, Tiranë (Dëbuar nga Franca në vitin 1999, refuzuar kërkesa për rezidencë.)
Erjon Selmani, Lezhë (Në pritje të gjykimit në Itali për evazion fiskal, nisur në vitin 2021).
Euglen Gjini, Fier (Dëbuar nga Gjermania në vitin 2022).l
Gazmir Memaj, Shkodër (Dëbuar nga Serbia më 22 janar 2025).
Partia Socialdemokrate
Florjan Tomçini, Dibër
Klaudio Zotaj, Vlorë (Dëbuar nga Norvegjia në vitin 2018 për tejkalim të ditëve të qëndrimit).
Kreshnik Gjonaj, Lezhë
Lisman Pellumaj, Shkodër (Hetuar në Gjermani për vjedhje viti 2015, shpallur i pafajshëm.)
“Djathtas Për Zhvillim”
Arjel Rragami, Shkodër (Gjobitur në dhjetor 2024 në Gjermani për largim nga vendi i aksidentit).
“Koalicioni Euroatlantik”
Desard Muzhaqi, Elbasan (Dënuar me 60 ditë burg në Greqi, viti 2010 për lejë qëndrimi të parregullt, përdorim edhe i emrit tjetër Avdulla Muzhaqi).
Partia Lëvizja Bashkë
Dritan Tafhasaj, Kukës (I dyshuar për vjedhje nga Gjykata e Prizërenit në vitin 2023, deklaron se ka qenë keqkuptim e nuk është proceduar. Dënuar me 2 muaj burgim në Kukës në vitin 2014 për drejtim të parregullt të mjetit.)
Partia “Mundësia”
Adela Qemali, Tiranë (Dëbim nga Franca më vitin 2020, për shkelje të rregullave për azil).
Altin Muceku, Tiranë (Dëbuar në vitin 2018 nga Franca dhe në vitin 2019 nga Austria për emigracion të paligjshëm).
“Aleanca Demokracia e Re”
Gramos Ismailaj, Vlorë
Geront Stefo, Korçë
“Aleanca Kombëtare Shqiptare”
Ndriçim Kamberaj, Vlorë (Dëbuar nga Franca në vitin 2023, qëndrim mbi 3 muaj).