Papa Françesku u shfaq sot në një karrige me rrota nga ballkoni i Poliklinikës Agostino Gemelli në Romë, ku përshëndeti dhe bekoi besimtarët e mbledhur për ta parë.

Pritja ishte e ngrohtë, me duartrokitje dhe brohoritje nga turma, ndërsa flamuj të ndryshëm, përfshirë ata të Spanjës, Izraelit dhe Ukrainës, valëviteshin në shenjë përkrahjeje.

“Faleminderit të gjithëve, sa të bukura janë lulet tuaja,” u shpreh Papa, duke vënë re një grua që mbante lule të verdha dhe duke e përgëzuar:

“Shoh këtë zonjë me lulet e verdha: sa e mrekullueshme.”

Në mesin e të pranishmëve ndodhej edhe kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, i cili ndoqi momentin e përzemërt të Papës me besimtarët. Përshëndetja e tij nga ballkoni i spitalit u shoqërua me brohoritje të forta, duke treguar dashurinë dhe mbështetjen e popullit.

Papa Françesku dha një bekim të shkurtër për të gjithë ata që ishin mbledhur për ta parë, duke shprehur mirënjohjen e tij për praninë dhe dashurinë e besimtarëve.

Papa Francesku pritet të lërë sot spitalin Gemelli, dhe të kthehet në rezidencën e tij në Santa Marta, pas 38 ditëve shtrim për shkak të pneumonisë bilaterale dhe infeksionit respirator polimikrobik. Megjithatë, atje do t’i duhet të respektojë një periudhë pushimi dhe rikuperimi prej të paktën dy muajsh.

Gjatë javës së fundit gjëndja e tij shëndetësore është përmirësuar por dhe vetë Papa ka dëshiruar të kthehet sa më shpejt në Vatikan. Pavarësisht se ka qenë i tërhequr dhe pak i dukshëm, ai ka dashur të jetë pranë besimtarëve në këtë periudhë të rëndësishme të Pashkëve, momenti më i shenjtë për të krishterët.
Papa do të vazhdojë terapitë e filluara në spital. Lidhur me rikuperimin e zërit, mjekët theksojnë se është e vështirë të parashikohet, por përmirësimet e fundit kanë qenë të shpejta, çka mund të sinjalizojë një kohë të shkurtër rikuperimi. Pneumonia bilaterale ka dëmtuar mushkëritë dhe ka ndikuar në muskujt respiratorë, duke ndikuar kryesisht te zëri i tij.