Në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN janë zbuluar detaje të reja rreth nongrat-ës së Sali Berishës nga Amerika, prej kreut të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka.

Lidhur me raportin e fundit të DASH, ku lideri i opozitës ende figuronte nongrata, Paloka tha se ai është përpiluar nga administrata e shkuar, e drejtuar nga dyshja Biden-Blinken.

“Është e vërtetë është një raport ku DASH, ai i administratës së kaluar. Ky raport është i administratës së kaluar, nuk është raport i administratës Trump. Por edhe ai raport i asaj administrate e vulos qeverinë e Ramës si narkoshtet. Edhe në raporte të tjera është quajtur qeveria më e korruptuar nga DASH dhe pastaj vinte Blinken, që thoshte, ky është udhëheqësi më i madh. Kjo ishte absurde. Ky rasti që përmendet , është raport i administratës së kaluar. Berisha është nongrata, s’është se kanë përmendur diçka që nuk dihej. Kanë futur një fakt që është i njohur, ende nuk i është hequr nongrata Berishës”, tha Paloka.

Por sipas deputetit demorkat, nongrata Berishës “do t’i hiqet shumë shpejt”.

Sipas tij Sekretari i ri i Shtetit, Marco Rubio është ai që ka provuar kur ishte pjesë e Senatit faktin se administrata Biden përdori notën nongrata për të çuar pas hekurave dhe dëmtuar politikisht lider të qendrës së djathtë në Europë.

Paloka tha se me ardhjen e tij në detyrë si pasues i Antony Blinken, de jure ka rënë edhe masa nongrata për Berishën dhe se pavarësisht burokracive, administrata Trump e ka shprehur hapjen mbështetjen për PD.

“Marco Rubio, sot është Sekretari i Shtetit. Zëvendësoi Blinkenin. Rubio ishte senatori që ngriti në Senatin amerikan dhe madje bëri dhe dokumente ku akuzonte administratën Biden-Blinken se kishte përdorur nongratat politikisht për të goditur lider të qendrës së djathtë ne Europë. Është i njëjti, që ka zëvendësuar sot Blinkenin. Zv/Presidenti erdhi në Gjermani dhe ia bëri të qartë, nuk do të ndodhë më që të goditen liderë të opozitës së qendrës së djathtë, të burgosen dhe arrestohen për të marrë pushtetin. Janë dy qëndrime që bëjnë që de jure nongrata e Berishës nuk ekziston më. De facto, burokracitë e këto mund të ndodhë shpejt. Nuk ka më asnjë vlerë ajo nongrata. Raporti është tjetër gjë dhe është i administratës së kaluar. Qëndrimi i kësaj administrate u tha dhe u bë i qartë nga LaCivita aty në krah të Berishës”, deklaroi Paloka.