Nga Maldi Dema
Në një vit të caktuar pushimesh në Velipojë, dhoma e katit të tretë ku ishim akomoduar kishte një ballkon i cili e kishte pamjen nga veriu. Poshtë, pas një muri e një avllie ishin akomoduar disa pjesëtarë të komunitetit rom (besoj). Meqenëse në ballkon pinim kafen e mëngjesit dhe hanim drekën, qëlloi të njihesha në detaje mbi mënyrën se si jetonin këta njerëz. Për fëmijët që dikur luanin shpijash, ishte një infrastrukturë perfekte loje. Dmth, ishin akomoduar në një tip ruloti përdhè, i zgjatuar me ca tenda cohe e në dysheme kishin shtruar dyshekë e çarçafë.
Oborri ishte goxha i madh. Kushedi sa i paguanin pronarit të “tokës së xanun”. Dikur ajo zonë ka qenë një pyll i dendur plepash e halorësh dhe në hapërsirat mes tyre kanë qenë të instaluara çadrat familjare të pushimit.

Në skaj të oborrit ishte një çezme e shoqëruar me kova e legenë. Në një pjesë tjetër të oborrit, kanaçe e hekurishte. Çezma nuk pushonte së rrjedhuri. Pjesëtarët e komunitetit laheshin disa herë në ditë, ashtu, me rroba banjo, shampo e sapun. Rrjedhja tjetër shërbente për të larë rrobat. Kishin shumë rroba. Telat që bashkonin plepat e ngelur aty-këtu ishin çdo ditë të ngarkuar.
Në drekë mblidheshin nën hijen e një plepi të stërmadh dhe, pas ushqimit, dremisnin… ashtu… garrumull… siç ishin ulur rreth sofrës së pangritur, me mbeturina ushqimesh, letrash e qesesh 🙂. Qeni i zi i tyre dukej sikur përjetonte momentin më pikant në atë orë të ditës, tek shkelte me katër këmbët çdo cm të sofrës.
Në darkë, herë ndiznin një zjarr e herë nuk ndodheshin fare aty.
Në mëngjes, teksa të tjerët vazhdonin gjumin në rulot (dy tre vetve i dilnin këmbët jashtë tek dera), gjeja gjithmonë zgjuar këtë personin që më ka frymëzuar ta shndërroja në pikturë. Aq sa munda dmth. Pasi i frynte të gjitha komerdaret, i hipte në sup dhe merrte bregun mbarë. Vapa nuk e lodhte.
Pa i kërkuar leje, si për të mos prishur natyralitetin e subjektit, e mora në fotografi. Plazhit ia kishte kthyer shpinën dhe shikimin e kishte tretur diku thellë, përtej horizontit të detit. Ndoshta ishte mënyra e tij për të pushuar por kurrë për tu ankuar. Aq sa ishin aty (7-8 vetë) nuk u dëgjuan një herë të klithnin, bërtitnin a bërë zhurmë. Vetëm qeshnin e qeshnin.

Si rregull, personazhi kryesor vendoset në kuadër jo në qendër (rregulli i 1/3 quhet). Unë preferova ta vendos në qendër, si për të detyruar shikuesin të merret vetëm me të. Ju mund të pyesni: “pse një këmbë?” A nuk ju duket që ky person i gëzohej ekuilibrit të jetës shumëngjyrëshe që mbante në shpinë?