Investimet në infrastrukturë dhe vepra publike po zhvillojnë turizmin në qytetet e ndryshme të vendit dhe veçanërisht në ato bregdetare, ku dhe fluksi i turistëve sa vjen edhe shtohet.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me ndjekësit në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama tha se investime të rëndësishme po zhvillohen dhe në Lezhë.

“Në Lezhë po vijohet me investimet e projektet dhe jemi në rrugën më të mbarë. Kemi përfunduar procesin dhe firmosim kontratën së shpejti dhe fillon rruga Milot-Balldren. Ndërkohë që projektet, që po bëhen nën drejtimin e kryetarit të bashkisë Pjerin Ndreu, për zhvillimin e turizmit janë spektakolare dhe bregdeti i Lezhës, do të jetë si bregdeti i Spanjës, siç e ka thënë edhe Ndreu atje”, u shpreh Rama.

Rama vuri në dukje se, gjithashtu në Sarandë po zbatohet projekti për furnizimin me ujë. “Për ujësjellësin e Sarandës po investohemi”, tha ai.

Ndërsa në Fier, vijoi kryeministri, po bëhen investime, kryesisht për infrastrukturën rrugore bregdetare.

“Për Fierin do bëhet më e mira. Kemi filluar infrastrukturën për ta nxjerrë në det, që ta marrin vesh të gjithë, se fierakët e dinë, që edhe Fieri ka det”, deklaroi Rama.

Pyetjes së një qytetari lidhur me braktisjen e fshatrave nga të rinjtë, Rama iu përgjigj se këto janë fenomene të kudondodhura.

“Filloje nga Europa, ku do ti? Në Spanjë, Itali, Gjermani, ku do? Shko dhe numëro pleq dhe të rinj! Se e bëtë fenomenin që është i kudondodhur, na e bëni vetëm tonin. Hajde me mua të shkojmë e të shohim, në Roskovec, Sarandë, Xarrë, Mursi, fushat e Korçës, zonat ku ka prodhim, e të shohësh ti a janë pleq ata që punojnë, apo të rinj. Hajde të shkojmë në Malësi të Madhe, ose në Tropojë ku merren me mbledhjen e paketimin e gështenjave”, tha Rama.

/a.f//r.e/