
Të nderuar malësorë të Malësisë së Madhe !
E them me krenari të Malësisë së Madhe, pa dallim, pasi kështu në bindjen time ju kam përfaqësuar për 20 vjet si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, pa dallime partiake dhe pa paragjykime se kush më votoi e kush nuk më votoi!
Për mua, në radhë të parë, keni qenë dhe jeni malësorë të mirë, të mrekullueshëm dhe kështu do të mbeteni ! Malësia e Madhe mbi partitë! Ky ka qenë mesazhi juaj për deputetët e kësaj krahinë dhe unë jam munduar, gjatë 20 viteve të karrierës sime politike si përfaqësues i vullnetit tuaj, që ky mesazh të jetë orientimi në të gjithë aktivitetin tim, në shërbim të Malësisë së Madhe! Sa ia kam arritur, gjykojeni ju vetë!
Unë nuk kandidoj më për deputet, megjithse jam i bindur se përsëri nuk do të më mungonte vullneti juaj i shprehur me votë, nëse do të kandidoja! Besoj se së bashku kemi bërë jo pak për të ndryshuar dhe përparuar Malësinë e Madhe në shumë drejtime! Kam besim se ky përparim do të vazhdojë, pasi projekte të tjera kemi miratuar për Malësinë e Madhe në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të infrastrukturës, bujqësisë, turizmit, arsimit, shëndetësisë dhe cilësisë së jetesës ne tërësi.
Besoj se vota juaj më 11 maj për kandidatët dhe forcën politike, që ka bërë më shumë për Malësinë e Madhe, do të jetë në shumicë! Prova për këtë është dhënë, mbetet që ju të konfirmoni përsëri vullnetin tuaj! Vota është e lirë, secili ka gjykimin e tij, por të mos harrojmë se ajo që na ka bashkuar, na bashkon dhe do të vazhdojë të na bashkojë është krenaria e të qenurit malësor të Malësisë së Madhe, para se të jemi anëtar i kësaj apo asaj partie apo perkrahes të njërës ose tjetr ë!
Krenar që më besuat përfaqësimin për 20 vjet në Kuvendin e Shqipërisë, krenar për gjithçka arritëm së bashku, i lumtur që i përkasim kësaj treve që frymëzon ndër breza identitetin kombëtar shqiptar me tradita kulturore-historike mijëravjeçare, besë, mikpritje dhe ATDHEDASHURI për jetë të jetëve!
Me përulje para madhështisë së malësorëve të Malësisë së Madhe! /Nga Paulin STERKAJ, deputet i PS- së për qarkun Shkodër/