Proton VPN ka bërë një postim në rrjetet sociale ku thuhet se Shqipëria ka urdhëriar ISP-të të bllokojnë më 13 mars aplikacionin TikTok. Në postim thuhet se që nga ai moment përdorimi i Proton VPN është rritur 1200% mbi bazën dhe ky numër, sipas tyre po rritet ndërsa shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë akses në një internet të hapur dhe falas.

Proton VPN (rrjet privat virtual), është një shërbim i cili përdoret që trafiku online të drejtohet përmes një serveri të sigurt që fsheh adresën e vërtetë IP-së dhe kodon të dhënat që dërgon dhe merr pajisja e përdoruesit. Kjo e bën më të vështirë për faqet e internetit, reklamuesit, madje edhe ofruesin e shërbimit të internetit (ISP) të gjurmojnë përdoruesin dhe çfarë bën ai në internet.

POSTIMI:

Shqipëria ka urdhëruar ISP-të të bllokojnë #TikTok sot. Përdorimi i #ProtonVPN është rritur 1200% mbi bazën dhe ky numër po rritet ndërsa shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë akses në një internet të hapur dhe falas.

Vendimi për mbylljen e “Tik Tok” u mor nga qeveria pas një konsultimi publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes me thikë të nxënësit 14-vjeçar Martin Cani nga një bashkëmoshatar. Pas konsultimit me prindër e mësues në mbarë vendin, ishte vetë kryeministri Edi Rama, që njoftoi në konferencën e fundit të 2024-ës, se mbi 90% e tyre janë për mbylljen e “Tik Tok”, pasi e shohin si të dëmshëm për fëmijët.