
Portugezi Ruben Saraiva, i vënë nën akuzë për vrasjen me pagesë të biznesmenit Ardian Nikulaj dy vite më parë, u paraqit për herë të parë në gjykatë në cilësinë e të pandehurit. Seanca paraprake gjyqësore në ngarkim të tij ishte planifikuar të zhvillohej paraditen e së mërkurës, por u shty për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor dhe të përkthyeses.
Nën masa të rrepta sigurie, i pandehuri qëndroi për rreth 60 minuta në ambientet e gjykatës dhe më pas u largua drejt Burgut 313 në Tiranë, në pritje për t’u përballur në seancën e radhës gjyqësore.
SI NDODHI VRASJA?
Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit.
Portugezi Ruben Saraiva u largua nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Ai u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgim.
Nga ana tjetër, britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, dhe kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva.