Që prej mbrëmjes së djeshme, në rrugë zyrtare, por edhe në media, është bërë publik fakti që, me iniciativën e Kryetarit të PDSH, Sali Berisha, është zgjeruar lista e kandidatëve për primaret e 1 Marsit në Qarkun Shkodër.

Përkundrejt emrave që janë në listë, atyre që ishin më herët, por edhe të rinjve, emri që bie më shumë në sy është, pa dyshim, Gjeorgjeta Hila.

Një emër i njohur për strukturat e Partisë Demokratike të Shkodrës, Hila ka qenë pjesë aktive e demokratëve në disa fushata elektorale, por vitet e fundit ishte larguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen e saj.

Gjeorgjeta Hila ka pranuar ftesën e kreut të PDSH, Sali Berisha, për të qenë një nga kandidatët në këto primare, si dhe për t’u angazhuar në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Përveç angazhimit në grupseksione dhe seksione të PD-së, duke kaluar nëpër të gjitha strukturat e kësaj force politike, për disa vite ajo ka qenë kryetare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe pjesë e administratës së Bashkisë Shkodër.

Kthimi i saj në Shkodër është një sinjal i rëndësishëm për demokratët, duke u parë si një rikthim për të kontribuar në Partinë Demokratike, në një moment historik që, sipas demokratëve, synon rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti në zgjedhjet e 2025-ës.

Tashmë mbetet në dorën e demokratëve të mbështesin listën zyrtare dhe të zgjedhin përfaqësuesit më dinjitozë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.