Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia, ndërsa kësaj radhe ka zbardhur me një foto debatet në seancën për masën e sigurisë më 12 shkurt në GJKKO. Veliaj u shkruan lexuesve që të lexojnë se me çfarë gjuhe fliste prokurori Ols Dado.

“Ky është një nga dialogët në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëlmen para tij!  Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, shkruan Veliaj.

Në procesverbalin e zbardhur nga vetë Veliaj në një postim në Facebook, dallohet se prokurori Dado i është drejtuar kryebashkiakut me fjalët si “ndyrësirë”, “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”. Kjo. Pasi Veliaj e denoncoi Dadon në sallën e gjyqit si prokuror në konflikt interesi, pasi ka marrë leje ndërtimi nga kryebashkiaku për një objekt banimi 9-katësh me 2 kate nëntokë në njësinë administrative nr.10, në rrugën e Bogdanëve, mu në zemër të kryeqytetit.Pjesë nga debati brenda seancës

OLS DADO: Ndyrësirë! S’ke turp që thua, tregon banesën e prokurorit këtu, ç’a është 3 ky, kërcënim është ky? Është kërcënim ky që tregon banesën e prokurorit?

ERION VELIAJ: Asnjë kërcënim.

BRION BANI: Prokuror, ulu!

OLS DADO: A? Ç’a është ky? Kërcënim është ky?

ERION VELIAJ: Unë besoj është konflikt interesi. Prokurori mendon që edhe kjo sjellje është normale, por kjo s’është normale.

OLS DADO: E kam mesazhin këtu.

ERION VELIAJ: Por, kam të drejtë të them që s’është normale.

ERION BANI: Prokuror!