
Të tjera detaje zbulohen në lidhje me arrestimin e Safet Bajrit këtë të premte.
Burime pranë SPAK i kanë komunikuar gazetares së Top Channel Anila Hoxha se Bajri është arrestuar me urdhër të GJKKO dhe se ndaj tij ka masë arresti. Dyshohet se Safet Bajri bashkëpunoi me Asmer Bilalin për të vrarë Fatbardh Licin, ngjarje e ndodhur në 2018, dhe masa është për këtë ngjarje.
Kujtojmë që 3 ditë më parë, 18 Shkurt, në banesën e Safet Bajrit u kryen kontrolle nga forcat RENEA.
Pas aksionit të RENEA, ai reagoi ekskluzivisht për “Top Story” në Top Channel, duke u shprehur se sa herë që policia shkon në banesën e tij i jep USB e kamerave. Safet Bajri deklaroi se nuk ka lidhje me asgjë, duke përmendur masakrën e Dobraçit. Ai theksoi se Asmer Bilalin e ka shok, duke theksuar se “kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”.