
Safet Bajri është arrestuar sot me urdhër të SPAK. Bajri u shfaqur mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Top Story”, pas aksionit në Shkodër për kapjen e tij. Ai mohoi gjithçka duke deklaruar se emri i tij po keqpërdoret dhe se nuk ka lidhje me asnjë ngjarje kriminale.
I pyetur se përse RENEA kishte kryer kontrolle në banesën e tij, ai u shpreh se sa herë që efektivët kanë shkuar në banesën e tij, ai u ka vënë në dispozicion kamerat e sigurisë. Gjithashtu në një kohë ku është i përfolur për një konflikt të përgjakshëm me familjen Lici me pasojë disa të vrarë në atentate, ai tha se “nuk ka pasur kurrë konflikte me këtë familje”.
“Në lidhje me masakrën e Dobraçit unë ua kam dhënë kamerat. Unë me atë familje nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston. Njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”, tha ai.
I pyetur në lidhje me pasuritë e tij dhe nëse ka pasur sekuestrim, ai tha se çdo gjë është e verifikueshme dhe se nuk ka pasur asnjëherë sekuestrime.
“Unë kam bërë 13 vite burg, kam bërë 4 vite kam dalë i pafajshëm, kam bërë dhe 2 vite dhe prapë pastaj ma pushuan çështjen, 6 vite tërë jetën”, deklaroi Bajri.
I akuzuar për përfshirje në fushatë elektorale për PS-në dhe në mbledhja votash për partinë në pushtet, ai sërish e mohoi:
“Nuk i njoh fare dhe nuk më intereson politika”, tha Bajri.
Gjatë intervistës Bajri kishte pas krahëve portretin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe flamurin turk.
Safet Bajri gjatë fjalës së tij ka pranuar publikisht se automjetet e blinduara tip “Audi A8” dhe “Mercedes Benz”, të cilat u gjetën të braktisura dhe me të cilat udhëtonin Samuel Troshani, Izmir Sakica dhe të tjerët janë të tijat. Por, Bajri e mohoi që ai të kishte qenë prezent në atë ngjarje, por shtoi se do donte shumë që të ishte, pasi sipas tij, nëse do të ishte ai aty nuk do të kishte ikur askush, por do të njoftonte Policinë.
Ai deklaroi se logjikisht nuk mund të mendosh se të akuzuarit e SPAK ishin nisur për të vrarë Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij, duke qenë se ishin me 3 automjete të blinduara, që sipas tij, i njeh e gjithë Shkodra se kush i ka. Bajri dha edhe versionin e tij se pse mund të ketë ndodhur ngjarja.
Ndërkohë, Bajri konfirmoi edhe deklaratën e SPAK, se “Audi A8” i blinduar kishte targa të huaja, të cilat nuk i përkonin po të njëjtit mjet. Ai tha se doganën ia kishte paguar mjetit në fjalë, por ende nuk ia kishte bërë letrat për shkak të procedurave ligjore për mjetet e blinduara.
Pjesë nga fjala e Safet Bajrit:
Për ngjarjen e Bushatit, ata persona as nuk i njeh kërkush, as nuk i njoh unë, as nuk i njohin çunat. Nuk kanë patur problem kurrë me ata çuna. Janë tre makina, kanë shkuar në një zonë, ku është hapur zjarr. Si munden me shku tre makina, të cilat janë të njohura se të kujt janë, “Benzi” dhe “Audi” me targa franceze janë makinat e mia, se i kam përdorur unë për çdo ditë. Si mundet, me shku tre makina të blinduara, me përgatit kushte për një vrasje, kur janë tre makina që i njef e gjithë Shkodra se kush i ka.
Personat në fjalë, me të cilët nuk ka pas askush komunikim me ta, as pas ngjarjes, do të kenë problemet e veta. Makinat janë me xhama të zinj. “Audi” është me doganë të preme, pavarësisht se nuk ka qenë e mundur hala me ia ba letrat sepse ka disa procedura ligjore për një makinë të blinduar dhe ka pas një palë targa të mbivendosura që as nuk janë të vjedhura, janë targa të një makine tjetër që nuk e di se çfarë.
Pse kanë qëlluar ata, unë mendoj se ata e dinë arsyen, 100%, nga problemet e tyre personale. Makina “Audi” është prishur, kanë qenë t’u prit karrotrecin dhe karrotreci është shoqëruar në Polici. E kanë qëlluar makinën se ose kanë dyshuar se makina me xhama të zinj, me të panjohur dikush ka shkuar për ta. Diçka që më mire seç e dinë ata, nuk e di njeri. Unë jam i sigurt 1000% se ata persona nuk kanë patur asnjë gjë në drejtim as të atyre çunave dhe as në drejtim temin apo në drejtim të makinave, veç se kanë dyshuar për gjërat e veta se çfarë janë këto makina që kanë ndalur këtu.