Shkodra është tronditur sërish nga vrasjet, por kësaj radhe nuk janë bandat apo hakmarrjet, por një krim i dyshuar pasioni. Policia e Shkodrës ka konstatuar në lagjen Mark Lula të qytetit një çift në një automjet me plagë të shkaktuara nga armë zjarri në kokë. Në kushtet kur mjeti nuk ka pasur dëmtime të jashtme, janë ngritur dyshimet se kemi të bëjmë me një krim të dyshuar pasioni, shkruan A2 CNN.

Nga verifikimet paraprake, policia njofton se në automjet janë gjetur Kolë Manaj, 34 vjeç, dhe Anila Prendushi, 44 vjeçe. 34-vjeçari ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve që kishte në kokë, ndërsa 44-vjeçarja është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Shkodrës.

Policia dyshon se viktima, Kolë Manaj, mund të ketë qëlluar me armë zjarri në kokë bashkëjetuesen e tij dhe më pas ka vrarë veten në të njëjtën mënyrë. 44-vjeçarja, që po lufton për jetën, është nënë e tre fëmijëve dhe prej 6 muajsh ishte divorcuar nga ish-bashkëshorti, duke bashkëjetuar me viktimën.

Sakaq, policia ka nisur hetimet dhe pyetjen e personave që e njihnin çiftin për të zbardhur plotësisht motivet e këtij krimi të dyfishtë. (A2 Televizion)