
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka mbajtur këtë të enjte seancën gjyqësore mbi kërkesën e penale të Safet Gjicit, i cili kërkonte zëvendësimin e vuajtjes së dënimit me qëndrim në shtëpi.
Në këtë seancë ish-kryebashkiaku Gjici, nuk ishte i pranishëm në seancë por u përfaqësua nga avokati Markeljan Jança. Gjatë seancës morën pjesë gjithashtu prokurori Ledian Tema, ekspertët mjekoligjorë, dhe përfaqësuesi i Shërbimit të Provës, i cili paraqiti aktin e ekspertimit. Po ashtu, mori pjesë edhe përfaqësuesi ligjor i Institucionit të Vendimeve Penale Lushnje.
Pas dëgjimit të palëve, Gjykata, e përbërë nga Kryesuesja Gjyqtare Suela Lika, vendosi që të rrëzojë kërkesën e kryebashkiakut për lirimin nga qelia.
Gjykata vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së Safet Gjicit për zëvendësimin e dënimit.
Ngarkimin e kërkuesit me shpenzimet gjyqësore.
Lejimin e ankimimit të këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve nga data e nesërme, e cila është data e njoftimit të vendimit.
Gjici, u dënua me 4.5 vjet burg për korrupsion nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, dhe pretendon se tashmë ka vuajtur tre të katërtat e dënimit. Ai u arrestua pas një video-skandali që e tregonte duke kryer akte seksuale me Alma Kaçin në zyrën e bashkisë. Ky skandal çoi në dorëheqjen dhe arrestimin e tij.
Gjici u akuzua fillimisht për abuzim me detyrën, por më pas Apeli ndryshoi akuzën në korrupsion, duke zgjatur dënimin e tij.
Gjykata pritet të vendosë nëse Gjici do të lirohet me kusht, për shkak të problemeve me zemrën që pretendon se ka patur.