Pas vrasjes së të riut Ramazan Mataj në Postribë, familja Hasaj ndodhet e ngujuar nga frika e gjakmarrjes.
Kryetari i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Shqipërisë, Dedë Shullani, ishte i pranishëm në zonë, ku takoi familjen e autorëve të ngjarjes së rëndë.
Rustem Hasaj, kryefamiljari, shprehu pendesën e thellë për ngjarjen ku janë përfshirë djemtë e tij. Ai rrëfeu se fëmijët e tij kishin qenë shokë klase me viktimën dhe se ngjarja e ka tronditur familjen e tij.
S’kam pas asnjë dijeni për konfliktin as mosmarrëveshje. Jam babai i dy djemve të arrestuar. Kjo fatkeqësi na ka ndodh të dy palëve. Unë kam kërku ndjesë familjes së viktimës dhe gjithë fshatit.
Kam nevojë për ndihmën e shtetit dhe të individit se jena në kushte të vështira. Jemi 7 vetë në familje, përfshirë 4 fëmijët e djalit që është në burg. Jemi për mbijetesë. S’kemi asnjë të ardhur. S’kam as pension as asistencë, asgjë. Unë jam në ngujim jam në gjendje të mjerueme nga ana e ekonomisë.
I lutem drejtësisë, popullit, kujtdo të na ndihmojë, mos i raftë kujt kjo punë. Unë përpara kam punuar me makinë, taksi pa licensë, çoja bashkëfshatarët në destinacionet e tyre. Edhe djemtë kanë punu sa për të jetuar, por ata ranë në burg. Tani jena pa asnjë të ardhur me 7 vetë në familje”, tha Hasaj.
Në deklaratën e tij, Dedë Shullani tha se ka marrë rolin e ndërmjetësit, duke punuar që familjet fqinje të rinisin komunikimin dhe të shmanget përshkallëzimi i konfliktit.
Prej dy javësh, familjet Mataj dhe Hasaj janë në konflikt të hapur me njëra-tjetrën, ndërsa frika se vrasja mund të pasohet nga ngjarje të tjera kriminale mbetet shqetësim për të gjithë komunitetin.
Kur u vra Ramazan Mataj
Ramazan Mataj u vra me breshëri kallashi në një antenat mafioz në zonën e Dragoçit teksa ishte në makinë. Ngjarja dyshohet se ndodhi mbrëmjen e 4 janarit 2025, ndërsa raportohet se u gjet i pajetë mëngjesin e 5 janarit nga banorët e zonës.
Ndërkohë vetëm pas tre ditësh nga krimi i kryer, policia zbuloi autorin e dyshuar dhe bashkëpunëtorin e tij, 2 vëllezër, bashkëfshatar të viktimës.
Arjon Hasaj qëlloi me breshëri ndaj makinës së të riut, pasi e akuzonte se kishte lidhje me motrën e tij, marrëdhënie e ndaluar që ishte kishte sjellë 2 divorce të saj. Ai e futi në kurth dhe e nxori në pritë Ramazan Matajn, pasi bisedoi me të nga një profil fals sikur ishte vajzë.
Madje edhe në dëshminë e tij para hetuesisë, Arjon Hasaj deklaroi se ai e vrau duke nënvizuar se viktima prej 6 vitesh ishte në lidhje me motrën e tij dhe se i ka prishur dy martesa kësaj të fundit.