Kryeprokurorja belge, Ann Fransen në një intervistë të dhënë për “De Morgen” ka dhënë detaje për dosjet që po heton që nga marrja e detyrës mes tyre edhe luftën ndaj krimit të organizuar shqiptar.

Fransen tha se nga thyerja e platformës së koduar “SKY ECC” u hasën me raporte tronditëse për dhunën ekstreme të bandave.

“Në luftën kundër mafies së kokainës, muajt e fundit jemi fokusuar fuqishëm në rikuperimin e aseteve kriminale. Fitimet nga trafiku i drogës shpesh zhduken jashtë vendit: Në Marok, Shqipëri, Emirate. Ne jemi një hap më tej me shqiptarët.

Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të fitojë terren. Kjo u duk nga thyerja e shërbimit të koduar të mesazheve “Sky ECC”. Hetuesit hasën në raporte tronditëse, të cilat tregonin se bandat nuk i shmangen dhunës ekstreme”, tha Fransen

Kryeprokurorja belge ka rikonfirmuar se drejtësa belge është ajo që qëndron pas insistimit për arrestimet e kryera në vendin tonë të disa grupeve të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar të kokainës të cilat janë të lidhura edhe me pushtetin, nga ku u hapet rruga edhe për pastrimin e parave në ndërtim e në investime strategjike.

“Ne duam të arrijmë këtë edhe në Emirate. Ne duhet jo vetëm të sigurojmë që ata të dorëzojnë pasuritë me vlerë të lartë, por edhe që ne të mund të rikuperojmë asetet e tyre të paligjshme”, u shpreh kryeprokurorja belge.