TIRANË, 14 janar/ATSH/ Sekretari për Çështjet Ligjore pranë Partisë Demokratike, Ivi Kaso tha sot përmes një deklarate për mediet, se Partia Socialiste ka renditur Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit, si formacion opozitar dhe jo si formacion i koalicionit qeverisës.

“Ky është një cenim i rëndë i së vërtetës, moralit politik dhe qytetar dhe shkelje me të dyja këmbët e barazisë në zgjedhje”, u shpreh ai.

Sipas Kasos, qytetarët e dinë se me kë është rreshtuar Tom Doshi që nga Tirana dhe deri në Shkodër, që nga 2011-a e deri në 2025-ën.

“Qëllimi është për të grabitur një numërues të opozitës në zgjedhjet e ardhshme dhe për t’ia kaluar Doshit, i cili do të hiqet si e parti e opozitës, por do të militojë, numërojë e zhvasë për mazhorancën e NarkoRamës. Ky falsifikim bie ndesh me dhjetëra vendime të KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, të cilët përcaktojnë se opozitë nuk të bën vetëdeklarimi, por mbështetja që i jep në Kuvend nismave të qeverisë”, tha Kaso.

Sipas Kasos, opozita nuk do e lejojë që kjo situatë të ndodhë, teksa paralajmëron se mund të ngrihet një padi në SPAK ndaj kryeparlamentares Elisa Spiropali, për abuzim, shpërdorim detyre dhe falsifikim.

“Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt hajdutërie që dëmton balancat mes palëve në një vend ku të gjitha pushtetet janë në kthetrat e Ramës dhe mjaullimat e elisave të oborrit. Sa për Tomën, si hero të opozitarizmit, kundër Ramës në zgjedhje, edhe çakejtë maleve qeshin kur e dëgjojnë”, përfundoi ai. /j.p/