Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV komentoi situatën parazgjedhore në vend, diasporën dhe partitë e reja që kanë hyrë në tregun politik.

Ai u shpreh se e majta është në përparësi krahasuar me opozitën e djathtë.

“Sipas një sondazhi ka një rritje të PD-së nga ajo që ka qenë në gusht. Sipas të dhënave që kam unë PS është dukshëm përpara. Nuk e di nëse PD do të rritet se sa është sot. Rama ka stabilitet në votën që mbledh. Unë mendoj se vota e diasporës mund të jetë problem për opozitën”-tha Fevziu.

Gazetari komentoi edhe votimin e diasporës për herë të parë në zgjedhjet parlamentare.

“Unë i bëj thirrje çdo qytetari të regjistrohet, të votojë siç e mendon. Nëse diaspora shkon në 100 mijë vota që për mua është shumë e vështirë janë 8 mandate dhe me aq ndërron rrjedha politike”.

Fevziu u shpreh i zhgënjyer me drejtuesit e forcave të reja politike, duke thënë se ata kopjojnë të vjetrit.

“Unë kam një problem me partitë e reja. Të rinjtë kthehen në modelin e Ramës dhe të Berishës me bërtitje dhe denoncime si Berisha që ka 35 vjet. A ka njeri që do të sjellë një realitet të ri, një normalitet? A do të ketë një lider të vërtetë? Këtu ka një matrioshkë të madhe që gjen brenda të tjerë”.