Nga Gazeta ‘Si’- Ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, ka deklaruar sot se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 majit, nëse i krijohen hapësirat, do të angazhohet me Partinë Socialiste.

“Nuk kam kontakte me PS. Po them dëshirën time. Unë jam i majtë, angazhimi im patjetër do të jetë PS, por nëse krijohen hapësirat. Nuk e kam problem ta nis nga fillimi. Nuk ka rëndësi ku është emri Endrit Braimllarit për të dhënë kontributin tim. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të doja të jepja angazhimin tim në PS”, tha Braimllari në një intervistë televizive.

Për momentin Braimllari është anëtar në këshillin bashkiak të Tiranës.

Pas deklaratës së tij, ka ardhur edhe reagimi nga radhët e Partisë së Lirisë.

Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e cilëson Braimllarin si “sufllaqexhi”.

Ajo shprehet se prej 1 viti e gjysmë Braimllari nuk është më pjesë e asnjë strukture politike të PL dhe as anëtar i Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës, për shkak të “firmave të tij të paligjshme dhe të pamoralshme, si dhe marrja peng nga SPAK, bashkë me të disa të afërm të tij”.

Memelli shton me të tej se Braimllari “ka për detyrim të paraqitet sa më parë pranë Partisë së Lirisë dhe të japë sqarime për parregullsitë me financat që na la trashëgim, si dhe të dorëzojë mandatin e këshilltarit, që nuk i përket atij”.