Nuk është asgjë e re që disa sjellje mund të kenë një efekt relaksues në psikikën tonë, duke na çliruar nga stresi dhe duke pasur ndikime pozitive si për ne ashtu edhe për të tjerët. Mirësia është në fokus të Baltimore Experience Corps, një studim i kryer nga një grup studiuesish të koordinuar nga Tara Gruenewald, psikologe sociale dhe profesoreshë e asociuar në Universitetin Chapman, në Kaliforni. Hulumtimi, i botuar në Bibliotekën Kombëtare të Mjekësisë, theksoi se si njerëzit mbi 60 vjeç mund të zhvillojnë një përmirësim të përgjithshëm në shëndetin e trurit pas disa vitesh pune vullnetare. Në veçanti, përmirësimi do të kishte të bënte me funksionet njohëse të trurit edhe si rezultat i aktivitetit më të madh fizik që kërkon vullnetarizmi.

Përveç të moshuarve, të përfshirë në studimin e Universitetit Chapman, kërkime të tjera të publikuara në Bibliotekën Kombëtare të Mjekësisë janë fokusuar te të rinjtë dhe ndikimin që aktet e përsëritura të mirësisë gjenerojnë në shëndetin e tyre. Edhe pse vullnetarizmi i praktikuar nga të rinjtë dhe të moshuarit është i ndryshëm, edhe tek të rinjtë që kanë kryer aktivitete ndoshta me fëmijët e shkollës, është vënë re një përmirësim i gjendjes së shëndetit kardiovaskular pas një tendence për të qenë më altruistë, të sjellshëm dhe empatikë. Ndoshta në një shoqëri që karakterizohet gjithnjë e më shumë nga përçarje dhe përplasje, një përmirësim i shëndetit tonë mund të jetë një nxitje për të qenë më të sjellshëm.

Për sa u përket të moshuarve, vullnetarizmi ose në përgjithësi aktet e altruizmit ndihmojnë edhe shëndetin fizik, duke qenë se vullnetarizmi përfshin edhe harxhimin e energjisë fizike: një aktivitet që ndihmon për të mbajtur aktiv edhe të moshuarit, si dhe parandalimin e rreziqeve të demencës.