Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur seanca gjyqësore për padinë e ngritur nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sula, kundër deputetit demokrat Gazmend Bardhi. Padia përfshin akuzat për “shpifje, kryer botërisht” dhe “fyerje, kryer botërisht”.

– Advertisement –
Në seancën e parë ishte i pranishëm paditësi, Edmond Sula, ndërsa deputeti Gazmend Bardhi nuk mori pjesë personalisht, por u përfaqësua nga avokatët e tij, Marash Logu dhe Ledio Braho.

Mbrojtja e Sulës paraqiti argumentet e saj gjatë seancës, duke theksuar se më 12 shtator 2024, gjatë një interpelance në Kuvend, Gazmend Bardhi, bazuar në disa materiale të referuara nga SPAK, kishte deklaruar se Edmond Sula ishte një person i emëruar nga grupet e strukturuara kriminale dhe i shërbente këtyre grupeve.

Në lidhje me akuzat e Bardhit, mbrojtja e Sulës theksoi se bisedat dhe materialet e përmendura nga Bardhi i përkisnin periudhës 2019-2020, tri vite para se Sula të emërohej në detyrën e tij.

“Deklarata e bërë nga Bardhi është transmetuar botërisht dhe është shpërndarë gjerësisht në media të shkruara dhe vizive, duke përhapur një informacion të pavërtetë, të cilin ne e mbështesim në prova. Akuzat kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe karrierën e Edmond Sulës, i cili ka një përvojë 28-vjeçare në funksione të ndryshme të policisë,” deklaroi përfaqësuesi ligjor i Sulës.

Gjithashtu, Sula pretendon se pas publikimit të deklaratave të Bardhit, familjarët e tij, përfshirë dy vajzat, janë përballur me ofendime dhe sulme në rrjetet sociale dhe ambientet ku punojnë e studiojnë.

Sula theksoi se çështja për të cilën Bardhi i është referuar është duke u trajtuar dhe se shumë shpejt do të dalë në pah e vërteta.

“Duke qenë se çështja për të cilën i është referuar Gazmend Bardhi është në shqyrtim, dua të saktësoj që unë jam pyetur në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me këto fakte. Shumë shpejt do të dalë se kush është ‘Mondi i vërtetë’ që përmendet në ato komunikime.

Unë e kam deklaruar edhe në seancën e parë dhe e përsëris: emërimi im është bërë me urdhër të drejtorit të përgjithshëm. Jam krenar për çfarë kam bërë me stafin që ishte atje. Rezultatet e arritura në 1 vit e 1 muaj sa qëndrova në Shkodër janë të qarta dhe flasin vetë,” theksoi ai.

Në përfundim, avokatët e Sulës kërkuan që Gazmend Bardhi të dënohet për akuzat e ngritura, duke argumentuar se shpifjet e tij kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme si profesionale ashtu edhe personale për paditësin.