A2 CNN ka mësuar detaje në lidhje me vrasjen që tronditi mbrëmjen e së dielës Tiranën, ku u ekzekutua me armë zjarri Bujar Nasufin, rreth 56 vjeç.
Mësohet se 56-vjeçari është qëlluar me breshëri teksa po futej në derën e shtëpisë së tij nga një person që po lëvizte me motor dhe mbante kapuç.
Nga të dhënat e para dyshohet se autori është larguar në drejtim të zonës së Selitës. Ndërkohë, bëhet e ditur se Bujar Nasufi nuk është një person i skeduar nga policia, ndërsa ai kishte një mobileri së bashku me të vëllanë.
“Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit. Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake”, njofton policia. (A2 Televizion)