Aktorja e humorit shqiptar, Zyliha Miloti feston sot 79-vjetorin e lindjes.
Zyliha Miloti lindi në Shkodër, më 11 janar 1946 . Mbaroi liceun artistik ”Jordan Misja”, me 1965 për aktore dhe nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret më të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 40 vjet.
Miloti numëron me qindra role në karrierën e saj. Në skenë, Miloti ka interpretuar me aktorët e mirënjohur Tano Banushi dhe Zef Deda, në pjesë të shkurtra për estradë si: “Fotografisti”, “Në spital”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Truall i zënë”, “Toka jonë”, etj.
Një gjysmë shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 250 premiera shfaqjeje. Ajo mban titullin ”Artiste e merituar”.