Tregu i Rusit falë investimeve të qeverisë dhe bashkisë së Shkodrës është transformuar në një hapësirë dinjitoze, duke sjellë përmirësime të dukshme të kushteve të tregtimit.
Gjatë inspektimit ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe prefektja e qarkut Majlinda Angoni, të cilët panë nga afër investimin e kryer në këtë treg.
“Deri dje një njollë turpi në fytyrën e një qyteti me historinë e me kulturën e Shkodrës, ndërsa sot një hapësirë e bukur dhe dinjitoze falë angazhimit të kryebashkiakut e mbështetjes së qeverisë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur se faza e parë për transformimin e Tregut të Rusit përfundoi brenda 5 muajsh dhe markata hapi dyert në prag të vitit të ri.
Përmes një investimi prej 300 mijë eurosh, theksoi Beci, po vijohet me fazën e dytë të këtij projekti, që parashikon ndërtimin e tregut të peshkut dhe thertoreve.
“I gjithë aksi nga hyrja, deri në dalje të Shkodrës është i rinovuar totalisht”, bëri të ditur Beci.
Me anë të këtij investimi tashmë është bërë e mundur ndërhyrja në sistemimin e sheshit, ndërtimin e mbulesës së markatës, ndriçimi i tregut, ndërtimi i moduleve të reja për tregtarët ambulantë, përmirësimi i kushteve të tregtimit dhe ruajtja e produkteve deri në tryezën e konsumatorit.