Në qytetin e Shkodrës ka hapur dyert Poliklinika e Specialiteteve, një tjetër investim madhor nga buxheti i shtetit për shëndetësinë.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, vizituan Poliklinikën e Specialiteteve, e cila tashmë ka ambiente të transformuara, kushte moderne dhe është e pajisur me aparatura të reja diagnostikuese për rreth 200 mijë banorë.
Ministrja Koçiu tha se “Poliklinia e Specialiteteve është ndërtuar sërish nga e para jo vetëm me pajisje, por edhe infrastrukturë. Është tërësisht e rehabilituar, zgjeron kabinetet e shërbimeve nga 14 shërbime që ofroheshin aktualisht jemi në 22 shërbime”.
Me një sipërfaqe prej 1300 m² dhe vlerë totale prej 120 milionë lekë të reja, poliklinika ofron specialitete të reja si kirurgjia, ortopedia, infektiv, toksikologjia, obstetri-gjinekologjia dhe pediatria, fizioterapia, si dhe kabinetet moderne për imazheri, radioogragi, ekografi, mamografia dhe ORL.
Ky investim garanton kujdes shëndetësor të standardeve të larta për Shkodrën dhe zonat përreth.