Vllaznia dhe Tirana luajnë të premte në orën 17:00 në “Loro Boriçi” për raundin e 20-të në Superligë. Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric.
Kroato-gjermani tha se në një “Klasike” nuk ka rëndësi renditja, teksa foli për problemet nga bllokimi i merkatos. Pritet që pas vendimit të FIFA-s për borxhet që klubi u ka ish-lojtarëve të reagojë presidenca dhe të zgjidhë ngërçin.
Ndërkohë që në këtë situatë dy afrimet e janarit Serjan Rrepaj dhe Alfred Mensah nuk do jenë të gatshëm. Paçka grupit të mirë, Brdaric pret edhe afrime të tjera.
Luhet ‘Klasikja’ kundër Tiranës – Jemi të përgatitur për nesër, kemi uri për fitore dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ndeshjet derbi janë gjithmonë speciale dhe na duhet paraqitje speciale.
Dëmtimet – Duhet të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen, të kemi atë ndjenjën e mirë të lojës. Kemi shanse të fitojmë nesër, kemi lojtarë të kthyer dhe falenderoj stafin mjekësor. Nuk është si kundër Partizanit që kishim mungesa.
Vllaznia favorite? Derbi është derbi, nuk ka lidhje renditja. Duhet të bëjmë një paraqitje speciale dhe të marrim më të mirën sepse luajmë në shtëpi. Të bëjmë presing, zgjidhje në sulm dhe të gjithë të besojmë gjatë 90 minutave se mund të fitojmë.
Merkato e bllokuar nga borxhet – Po, kam dëgjuar për këtë rast. Deri tani nuk kishim shenja se mund të përdornim Rrepajn dhe Mensah, kemi punuar me lojtarët që kemi të gatshëm. Janë djem të mirë dhe me cilësi, kanë potencial për të luajtur në Superligë. Duam t’i rrisim që të ndihmojnë ekipin, po punojnë mirë si gjithë lojtarët e tjerë, mos i ushtrojmë presion.
Tifozët priten në numër të madh edhe nga Tirana – Jemi profesionistë, të shijojmë këtë ndeshje dhe atmosfera në stadium është e mirëpritur. Shpresojmë që çdo gjë të shkojë mirë. Mos harrojmë që është një derbi dhe fansat të jenë të zjarrtë në tribuna.
Merkato dhe largimet – Nga një anë e kemi të bllokuar dhe çdo lojtar që do na vijë e mirëpresim. Kemi ekip të fortë dhe po punojmë me ata që kemi të gatshëm. Essanga nuk është më pjesë e ekipit, i urojmë më të mirën dhe shëndet”, tha Brdaric.
Pas 19 javëve të luajtura, Vllaznia me 31 pikë mban vendin e tretë në renditje, tre pikë më pak se kryesuesit e Dinamos. Nga ana tjetër Tirana me vetëm 18 pikë ndodhet në vendin e tetë.