Zbardhet vrasja e Ramazan Matajt ndodhur më 4 janar 2025 në fshatin Dragoç të Shkodrës. Dy vëllezër janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së 33 vjeçarit ndodhur më 4 janar në fshatin Dragoç të Shkodrës. Dy të afërm të tyre janë shoqëruar si bashkëpunëtorë.
Të arrestuarit Arjon dhe Klisman Hasaj, janë nga fshati Dragoç i Shkodrës, nga i njëjti fshat nga ishte dhe viktima Ramazan Mataj.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj. 29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit. Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit’ informoi sot policia e Shkodrës.
Njëri prej të arrestuarve është kapur në kufi duke tentuar të largohej, ndërsa një është arrestuar në shtëpi.
Vrasja e 33-vjeçarit dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e 4 janarit 2025, ndërsa i riu Ramazan Mataj ishte në makinë kur e zu në pritë dhe ndaj tij u derdhën breshëri plumbash. Ai u gjet i pajetë mëngjesin e janarit, nga banorët e zonës brenda në makinë, të cilët më pas kanë njoftuar edhe policinë.
Hetimet e para sugjerojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me konflikte personale, përfshirë mundësinë e ngacmimeve ndaj vajzave në rrjetet sociale. Nuk dihet nëse vrasja ka lidhje me ngacmimet që mund ti ketë bërë njërës prej vajzave të Rrustem Hasajt.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar prova të mjaftueshme për ndjekjen penale të të dyshuarve.