Vrasja e 33-vjeçarit Ramzan Mataj në Postribë dy ditë më parë është zbardhur këtë të martë.

Katër persona janë ndaluar deri më tani, ndërsa të arrestuar janë tre pjesëtarë të familjes Hasaj, të cilët dyshohen si autorë të vrasjes.
Të arrestuar janë tre persona të familjes Hasaj, babai Rrustem Hasaj 59 vjeç dhe dy djemtë Arjon Hasaj 29 vjeç, dhe Klinsmani 20 vjeç.

Njëri prej tyre, Arjon Hasaj dyshohet si autori kryesor, ndërsa dy të tjerët si bashkëpunëtorë.
Një prej të ndaluarve është kapur në pikën kufitare, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit dhe përfshirjen e të dyshuarve.
Pista kryesore është ajo e konfliktit personal mes viktimës dhe njërit prej djemve të familjes Hasaj, sipas gazetarit të Top Channel, Klodian Zhivani.

Viktima Ramzan Mataj
33-vjeçari Ramazan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet nga kalimtarët e rastit, banorë të fshatit Dragoç të dielën.
Autorët dyshohet se e kanë ruajtur Matajn gjatë natës dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshatit e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.
Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Sipas informacioneve, ai ka qëndruar në Belgjikë, aty ku aktualisht ndodhet edhe vëllai dhe prej një viti ishte kthyer në Shqipëri.
Mataj ka bërë punë ditore në ndërtim në Mal të Zi dhe nuk rezulton të ketë precedent penalë.
Top Channel