Kryeministri Edi Rama ka pritur për herë të dytë Rabinin Yoshiyahu Yosef Pinto në Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se Shqipëria është një vend model për vëllazërinë fetare, ku hebrenjtë u morën në mbrojtje si askund tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Po ashtu, ai theksoi se ishte një privilegj i veçantë të vizitonte Vlorën me Rabinin Pinto, qytetin ku hebrenjtë u vendosën shekuj më parë.

Siç ka lajmëruar më parë, Rama tha se në zonën ku dikur ndodhej lagjja hebraike, së shpejti do të fillohet ndërtimi i muzeut hebraik.

“Me nder dhe përulësi pata privilegjin të mikëpres për herë të dytë Rabinin Yosiyahu Yosef Pinto në Shqipëri — një vend model i vëllazërisë fetare, ku hebrenjtë u morën në mbrojtje si askund tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një privilegj të vizitoja me të Vlorën, qytetin ku hebrenjtë u vendosën shekuj më parë dhe në zonën që dikur ishte lagjja e tyre, së shpejti do të fillojmë ndërtimin e një Muzeu të bukur Hebraik”, shkruan Rama.

Muze hebraik projektohet nga studio izraelite Kimel Eshkolot. Do të jetë një muze me te gjithë aksesoret e nevojshëm qe konfirmon bashkëjetesën mes hebrenjve dhe shqiptareve në Vlorë, kryesisht në periudhën e Holokaustit dhe duke konfirmuar ndihmën që shqiptaret i dhanë komunitetit hebre në Vlorë.

Kush është Rabbi Yoshiyahu Yosef Pinto?

Rabbi Yosiyahu Yosef Pinto është një figurë e njohur fetare dhe udhëheqës spirituel, i njohur për ndikimin e tij në komunitetin hebre dhe jashtë tij. Ai është themeluesi dhe lideri i organizatës “Shuva Israel”, e cila ka për qëllim ofrimin e mësimeve shpirtërore për hebrenjtë dhe të tjerë që kërkojnë udhëzim në jetën e tyre. Organizata Shuva Israel është aktive në shumë shtete.