Sali Berisha ka vendosur të zbatojë vendimin e gjykatës për masën detyrim paraqitje, të cilën e kishte refuzuar në nëntor 2023, duke përfunduar në arrest shtëpie.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka bërë një kronologji të përplasjes Berisha-SPAK që prej nëntorit 2023.

“Në 20 nëntor 2023, SPAK mori autorizim në gjykatë, për masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit për zotin Berisha. Ai nuk e zbatoi duke thënë se SPAK ka shkelur ligjin duke mos marrë autorizim në Kuvend dhe thoshte se është shkelje e Kushtetutës. Kjo është zanafilla.

Për sabotim dhe injorim të institucioneve të drejtësisë në dhjetor 2023, SPAK kërkoi autorizim në Kuvend për arrest në shtëpi, e mori këtë dhe gjykata caktoi masën arrest në shtëpi. Nga ky moment Berisha bëri disa kërkesa rradhazi në gjykata dhe në të gjithë kërkesat e tij u rrëzua. Në nëntor të këtij viti, gjyqtarja paraprake, vendosi të revokojë masën arrest në shtëpi, duke argumentuar që nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për këtë masë.

SPAK e kundërshtoi këtë vendim duke argumentuar që për sa kohë nuk janë pyetur dëshmitarët në proces dhe ka risk për intimidim, së dyti nisur nga një vendim i GJK që interpretoi që e vetmja masë proporcionale është detyrim paraqitje, gjykata mori këtë masë, detyrim paraqitje dy herë në muaj.

E kam pyetur zotin Berisha pse e zbatoi këtë herë masën e sigurisë, ai tha se ka mbrojtur Kushtetutën, sepse për masën e dytë, ka patur autorizim nga Kuvendi. Në fakt Kuvendi e ka dhënë autorizimin për arrest në shtëpi”, tha Lala.