Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar pasi kryetari i PD-së, Sali Berisha e quajti “kriminel elektoral”. Përmes një postimi në Fcebook, Majko shprehet se e vetmja e vërtetë e Berishës është se “konfuzioni është kontroll”. Deputeti socialist shprehet më tej duke ironizuar se ishte “kënaqësi që e dëgjonte duke e fyer”, pasi sipas tij kjo do thonte se ka bërë gjënë e duhur.
POSTIMI I PLOTË:
Sali Berisha ka deklaruar sot në media se: “Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës…”
Publiku i shoqërisë sonë është mjedis delikat! Tundini dhe shkundini njerzit me gënjeshtrat e duhura dhe ata do të verbohen e sdo te shohin cmendurinë që kane para syve!
Konfuzioni është kontroll! Kjo është e vërteta e vërtetë e Sali Berishës!
Nuk besoj se jam aq i fortë sa të “vjedh” fitoren e munguar të PD në qarkun e Kukësit! Edhe të përsëritur!
Vjedhja e votave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar është mirë tu lihet atyre që kanë fuqi të kontrollojnë punët e kësaj bote! Atyre që dinë dhe ju dhimbset Shqipëria më shumë se sa ata që ajo ka mbajtur me pushtet dhe janë gati ti vënë flakën vendit kur mbesin pa të!
Ishte një kënaqësi tu dëgjoja të më fyenit! Kjo do të thotë se kam bërë gjënë e duhur!
Ka shumë lloj vjedhjesh në këtë botë Doktor! Më e keqja, është vjedhja e të ardhmes! Sigurisht!
Më herët në konferencën e sotme, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Pandeli Majkon për lidhje me krimin elektoral në Kukës, duke e përfshirë atë në aktivitete të paligjshme që lidhen me trafikun e drogës dhe armëve. Ai ka përmendur një ngjarje, ku sipas tij Majko dhe disa të tjerë, përfshirë drejtorin e OSHEE në Kukës, planifikonin të përdornin shtylla centrifugale për të realizuar një skemë të blerjes së votave, duke shpërndarë para në disa zona. Berisha ka kritikuar gjithashtu Pandeli Majkon për sjelljen e tij në Tiranë dhe lidhjet e tij me ministra të korruptuar, duke e quajtur atë një nga figurat më problematike të politikës shqiptare.